Sulmi ndaj drejtësisë i autorëve të reformës në drejtësi

Nga Ilmi Rehova
Sulmi ndaj drejtësisë i autorëve të reformës në drejtësi

Një gjë e thjesht duhet thënë që në fillim. Këshilli i Mandateve kishte, dje, një detyrë të thjeshtë: të vendoste nëse deputeti Saimir Tahiri është i barabartë para ligjit me qytetarët e thjeshtë. Kërkesa para tyre ishte që t’i hapnin rrugën prokurorisë të ndërmerte ndaj deputetit Tahiri të njejtat procedura dhe masa hetimore që do të ndërmerrnin ndaj qytetarit të thjeshtë Tahiri.

Duhet sqaruar se imuniteti kriminal që kanë deputetët shqiptarë është një gjë e rrallë. Në botën perëndimore deputetët kanë, në përgjithësi, imunitet të ngushtë—imunitet ndaj padive civile dhe ndjekjes penale në lidhje me detyrën e tyre parlamentare: pra, ata nuk mund të hetohen dhe mbahen përgjegjës për ato që thonë, qëndrimet që marrin dhe votën që hedhin. Imuniteti atyre u jepet me qëllim që ata të mnd ta ushtrojnë të lirë punën e deputetit, pa frikën e persekutimit për ato që thonë dhe bëjnë si deputetë.

Shumica dërrmuese e vendeve perëndimore nuk u jep imunitet deputetëve për vepra penale të kryera jashtë sallës së parlamentit. Për shembull, anëtarët e Kongresit të SHBA-ve dhe deputetët e parlamentit britanik mund të arrestohen në çdo moment, nëse akuzohen për vepra penale—çdo krim më serioz se kundravajtjet penale. Jo rastësisht në këto dy vende, aq imunitet sa jepet njihet respektivisht si “privilegj nga arresti” dhe “privilegj parlamentar”.

Por Shqipëria është një rast i ngjashëm me vendet e pazhvilluara, me demokraci të pakonsoliduar, ku deputetët kanë imunitet nga arresti për çdo vepër penale sado serioze të jetë. Për këtë arsye, prokurorisë ju desh që t’i kërkonte Kuvendit leje për të kontrolluaar banesën e pasuritë, si dhe për kufizimin e lirisë së Saimir Tahirit, nëse kjo gjë do të bëhet e nevojshme si masë siguruese për hetimin.

Vendimi i Kuvendit për këtë çështje është vendim politik, i cili duhet mbështetur vetëm në ligjshmërinë dhe legjitimitetin e kërkesës së prokurorisë—pra në bazë të vlerësimit nëse kërkesa është e bazuar në ligj dhe nëse kërkesa është kompetencë e prokurorisë.

Por shumica qeverisëse, me mjeshtëri, e ktheu dje shqyrtimin e kërkesës së prokurorisë në një proçes thuajse gjyqësor, ku deputetët e shumicës morën në pyetje prokurorinë, kërkuan të vlerësojnë dhe vendosin nëse provat janë prova, dhe nëse Saimir Tahiri është i fajshëm apo i pafajshëm.

Ata qëllimisht i përshkruan objektin e vendimit të tyre si për arrestimin apo jo të Saimir Tahirit—vendim që në fakt e shqyrton dhe e merr vetëm gjykata, para së cilës prokuroria duhet të paraqesë prova të ligjshme, të cilat mbrojtja ka të drejtë t’i vërë debatojë para gjykatës.

Prandaj, ata e zhvilluan seancën si një proces gjyqësor, ku në mëyrë të paligjshme dhe absurde, deputetët u shumicës u kthyen në hetues e gjykatës, të cilët morën nën hetim prokurorinë dhe “provat” e prokurorisë.

Na fakt, dëmtimi i besueshmërisë së prokurorisë ishte, dje, qëllimi i një aksioni të koordinuar veprimesh e sulmesh direkte dhe indirekte të ndërmarrë, fatkeqësisht, nga ata që prej tre vjetësh u shfaqën si luftëtarët e reformës në drejtësi dhe të luftës kundër krimit e korrupsionit. Dje, baballarët dhe nënat e reformës ishin të gjithë të bashkuar në mbrojtje të Saimir Tahirit dhe kundër daljes së tij para drejtësisë.

1. I pari që e nisi sulmin kundër Prokurorisë qe Fatmir Xhafaj, Ministri i Brendshëm dhe ish-Kryetari i Komisionit të Reformës në Drejtësi. Dy ditë më parë, zoti Xhafaj nuk pranoi të komentonte rreth kësaj çështje duke u shprehur se kjo është çështje e drejtësisë dhe nuk ka të bëjë as me policinë dhe as me Ministrin e Brendshëm.

Por, dje, Zoti Xhafaj ndryshoi krejtësisht qëndrim dhe mori përsipër jo vetëm të komentojë, por edhe të gjykojë provat sikur të ishte gjykatës. Mbi të gjitha, ai sulmoi hapur prokurët për përdorim politik.

Në një pohim para mediave, Zoti Xhafaj u tregua shumë i ashpër:

“…ajo çfarë është shkruar nga prokurorët e krimeve të rënda dhe për aq sa unë kam lexuar nuk është një gjë që është shpreh vullnetin e ligjit, që do të thotë se jemi në rastin kur segmente apo individë të Prokurorisë po vetëpërdoren politikisht në një çështje të nxehtë.”

 Në mënyrë të prerë, Ministri Xhafaj paralajmëroi se qëndrime të tilla të prokurorisë, pra hetimi i politikanëve, janë të rrezikshme:

Precedentë të tillë janë të rrezikshëm për drejtësinë dhe jetën parlamentare.

2. Të njëjtin ndryshim rrënjësor në qëndrim pati edhe Kryeministri Rama. Ndërsa dy ditë më parë ai shprehu besim të madh tek drejtësia duke e protretizuar veten si një politikan demokrat që i lë rrugë të lirë drejtësisë, dje, ai sulmoi ashpër prokurorinë.

Dy ditë më parë qendrimi i kryeminsitrit ishte:

Ndryshe nga paraardhësi im, nuk mund të jem unë ai që përcakton fajin apo pafajësinë. Kjo është detyrë e sistemit të drejtësisë dhe është drejtësia që duhet të zbardhë deri në fund të vërtetën.

 Prandaj të gjitha organet ligjzbatuese, duhet t’i shkojnë deri në fund e pa humbur kohë kësaj historie, për të hedhur dritë të plotë mbi faktet.

Ndërsa dje, ai, njësoj si Xhafaj, mori përsipër të gjykonte provat dhe akuzoi në mënyrë vulgare prokurorët si “syleshë dhe veshëgjatë”. Në përgjigje të një komentuesi në faqen e tij në Facebook, dje kryeministri u shpreh:

Deri tani, në këtë moment, vetëm syleshët dhe veshëgjatët që ngopen me kazanët e politikës e të medias, mund të mos jenë dakord me mua: Muhabete pazari pa as edhe një provë! Zero prova. […]Muhabet pazari nga çorba 72 orë e kazanëve të krimit, politikës e medias…

3. Ambasdorët Donald Lu dhe Romana Vlahutin nuk kanë bërë asnjë koment në publik për diçka që duhet të ishte në parim përmbushje e aspiratës së tyre për luftën kundër krimit dhe politikës së lidhur me krimin. Në mënyreë të çuditshme, dje, pas deklaratave skandaloze të Xhafës kundër prokurorëve, ata shkuan në zyrën e Xhafës dhe biseduan gjatë me të.

Se çfarë mund të diskutojnë me orë të tëra dy ambasadorë më një ministër të një vendi, mund të hamëndësohet nga çdokush, por heshtja e tyre e plotë dhe vizita e tyre në zyrën e Zotit Xhafaj, nuk ka si të mos shihej si çkurajim për prokurorinë dhe drejtësinë në Shqipëri. Veçanërisht, sjellja e ambasadorit të tanishëm amerikan Lu është në kontrast të plotë me atë të parardhësit të tij, i cili, në rastin e hetimit të Ilir Metës për një krim më pak të rëndë se i Tahirit, qëndroi në krah të Prokurores së Përgjithshme,  duke ofruar edhe mbështetjen e specializuar të FBI-së.

Edhe pse Donald Lu dhe Romana Vlahutin kanë predikuar kundër peshqve të mëdhenj në politikë, duket se koncepti i tyre mbi madhësinë e peshkut përputhet me atë të Kryeministrit Rama në nivel drejtorësh hipotekash dhe shefa komisariatesh.

4.  Gramoz Ruçi e drejtoi mbledhjen e Këshillit të Mandateve pa asnjë rregull dhe procedurë, ku vendoste vetëm ai, sipas arsyetimit vetjak të aty për atyshëm. Ai e ktheu mbledhjen në një seancë gjyqësore, ku të akuzuar ishin prokurorët: lejoi që prokurorëve t’u bëheshin pyetje hetimore; lejoi Saimir Tahirin të merrte në pyetje prokurorët; lejoi avokatin mbrojtës të Saimir Tahirit t’u jepte leksione deputetëve dhe prokurorëve; si dhe vendosi vetë, pa e hedhur në votim, që ta shtyjë seancën dhe t’i japë mundësi Tahirit të mbrohet.

Vendimi vetjak për shtyrjen e seancë është shkelje e Nenit 34, pika 2 e Rregullores së Kuvendit—të cilit i referohet neni 13 pika 6 që trajton mënyrën e veprimit të Këshilli të Mandateve—i cili shprehet se:

Komisioni merr vendim me votim të hapur për programin e punës dhe kalendarin e punimeve të tij, për miratimin e raportit që do t’i paraqitet seancës plenare, për projektrezoluta ose projektdeklarata që i paraqiten Kuvendit për 17 miratim, si dhe për çështje të tjera që lidhen me funksionimin e komisionit. Vendimet merren me shumicën e votave në prani të më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të komisionit.

 5. Vasilika Hysi, një nga deputetët kryesore të hartimit të reformës në drejtësi, dje, bëri çdo gjë që mundi për të ulur besueshmërinë dhe delegjitimuar kërkesën e prokurorisë. Pedagogia e famshme e jurispridencës, dje befas ngatërroi privilegjin e imunitetit nga arrestimi me të drejtat e njeriut, duke u aluduar disa herë se heqja e imunitetit për Tahirin, pa prova bindëse  për Kuvendin, ishte shkelje e të drejtave të njeriut.

Në mënyrë të qëllimshme, ajo interpretoi fjalën “dokumenta” në përcaktimin ligjor se “kërkesa dhe dokumentet shoqëruese për dhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit i paraqiten Kryetarit të Kuvendit nga Prokurori i Përgjithshëm” të rregullores si të barazvlefshme me termin “prova” dhe vazhdimisht i kërkoi llogari prokurorisë për prova.

Edhe pse prokuroria ka të drejtë dhe detyrim ligjor të hapë hetim edhe nga raportimet e medias, deputetja Hysi vazhdimisht e qesendësi dhe kundërshtoi këtë të drejtë të prokurorisë, madje edhe duke e ditur pse prokuroria kërkesën ndaj Kuvendit, në fakt, e kishte mbështetur mbi dokumenta të siguruara ligjërisht nga prokuroria italiane, pas njohjes fillimisht nga media për ekzistencën e tyre.

Një nga linjat kryesore të saj për mbrojtjen e Tahirit, ishte propagandimi i idesë se deputetit nuk mund t’i fillohet hetimi kollaj, se duheshin prova të forta për heqjen e imunitetit të një deputeti, duke nënkuptuar se për deputetin nuk zbatohen të njëjtat ligje që zbatohen për qytetarët e thjeshtë.

Në një moment, në mënyrë përçmuese dhe arrogante, Vasilika Hysi iu drejtua prokurores Elisabeta Imeraj me pyetjen se meqë sapo është bërë pedagoge si do t’ja u shpjegonte studentëve kërkesën për heqjen e imunitetit.

6. Artan Hajdari, një nga ekspertët e lartë të reformës në drejtësi. ishte dje avokati mbrojtës i Saimir Tahirit. Edhe pse mund të justifikohet me të drejtën për të mbrojtur me çdo kusht klientin e tij, Hajdari dëshmoi mosnjohje ose shpërfillje të procedurës parlamentare dhe ligjit, teksa kërkoi që ta kthente mbledhjen në sallë gjyqi.

Në një moment ai arriti ta marrë fjalën dhe mbajti një predikim mbi të drejtat e klientit të tij, duke ngatërruar krejtësisht natyrën dhe procedurën e shqyrtimit parlamentar për heqjen e privilegjit të imunitetit me atë të mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

7. Ndërkohë të gjitha mediat që tre vjet rrjesht ishin altoparlantët e qeverisë për reformën në drejtësi dje nisën një sulm të ashpër dhe direkt kundër prokurorëve të çështjes. Këto sulme arritën deri në racizëm, duke i akuzuar prokurorët si veriorë, apo tropojanë. Ndoshta pas sulmeve sistematike dhe metodike të Kryeministrit Rama dhe të ambasadorëve të huaj kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve, mediat e kanë fare të thjeshtë që të lëshojnë sulme personale deri edhe raciste kundër njerëzve të sistemit të drejtësisë.

Efekti i sulmit dhe intimidimit ndaj drejtësisë nga grupi Rama-Xhafaj-Ruçi-Hysi-Lu-Vlahutin-Tahiri qe i menjëhershëm: në atë sallë parlamenti, prokurorët pothuajse i braktisën përpjekjet për drejtësi. Ata u bezdisën, u lodhën, u trembën, gabuan taktikisht dhe në fund braktisën përpjekjen e tyre, duke iu nënshtruar tërësisht vullnetit politik të shumicës.

Nga presioni politik i ushtruar, gjatë gjithë ditës, kundër tyre, në fund të ditës ata humbën edhe vullnetin për të justifikuar kërkesën e tyre, duke i mos ju përgjigjur më as pyetjes së thjeshtë, gati retorike, nëse kishte rrezik që Saimir Tahiri të manipulonte provat nëse do të mbetej i lirë apo banesat e tij nuk do të kontrolloheshin menjëherë.

Dje, shumëkush, mund të ketë menduar me të drejtë se reforma në drejtësi ka qenë një lojë, që është përdorur mjeshtërisht nga Edi Rama dhe mbështetësit e tij për të justifikuar privilegjet dhe sundimin e tyre mbi shqiptarët.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>