Policia franceze arrestoi të shtunën një tjetër person për sulmin të së enjtes me thikë në Nice, ku u vranë tri persona.
Një person që bërtiste “Allahu Akbar” (Zoti është më i Madhi) i preu kokën një gruaje dhe vrau dy persona të tjerë në një kishë në Nisë. Ky është sulmi i dytë i ndodhur në Francë brenda dy javësh.
Të enjten, pas sulmit, policia njoftoi arrestimin e dy personave dhe vazhdimin e hetimeve për të dyshuarit e tjerë. Personi që kreu sulmin u qëllua nga policia dhe ndodhet në spital në gjendje kritike për jetën.
Më 16 tetor, Samuel Paty, një mësues në një shkollë në një periferi të Parisit, iu pre koka nga një Çeçen 18-vjeçar, i cili u zemërua nga mësuesi i cili i kishte treguar nxënësve një karikaturë të Profetit Muhamed në klasë.
Këto sulme u shoqëruan me protesta të myslimanëve në të gjithë Francën, dhe disa kanë bërë thirrje për bojkot të mallrave franceze.
Presidenti francez Macron u shpreh se deklaratat e tij mbi islamin janë keqinterpretuar dhe ai do të shpjegojë modelin laik në Francë në një intervistë për televizionin Al Jazeera.
Macron gjithashtu foli edhe me Papa Françeskun të premten, pas sulmit në bazilikën katolike Notre-Dame në Nisë, mbi rëndësinë e lirisë së fjalës dhe të dialogut midis feve.