Që kur mori drejtimin e Shqipërisë, trajneri Edoardo Reja është përpjekur t’i japë skuadrës më tepër tipare sulmuese. Së fundmi ai ka afruar në kombëtare një lojtar, i cili mund t’i japë Shqipërisë më shumë se kaq.
Florian Kamberi, 24 vjeç, sulmues shtatlartë 1 metër e 89 centimetra, luan për edinburgasit e Hibernian në Skoci dhe është i aftë të luajë në disa role: sulmues krahu, sulmues i dytë dhe sulmues qendre. Më të mirën deri më sot ai e ka dhënë në formacionet me dy sulmues ku shpesh jo vetëm shënon, por edhe asiston.
I dalë nga skuadrat zinxhire të një klubi modest në Rapperswil të Zvicrës, Kamberi dalloi që 5 vite më parë kur kaloi te Grasshoppers, një nga klubet më të mëdha të futbollit zviceran. Me skuadrat zinxhire shkëlqeu duke shënuar mbi 20 gola në 26 ndeshje. Kështu tërhoqi interesin e përfaqësueses së Zvicrës që e grumbulloi për moshat U-20 dhe U-21.
Për Kamberin dhe familjen e tij ëndrra e kahershme ishte fanella e kombëtares shqiptare. Angazhimi me U-21 të Zvicrës e ka komplikuar disi kalimin te Shqipëria, por te FSHF janë optimistë se nuk do të ketë pengesa.
Ndryshimet e trajnerëve dhe rënia në nivel e klubit të Grasshoppers nuk e favorizuan karrierën e Kamberit. Pas një huazimi te Karlsruher në Gjermani, në janar 2018 vendosi të kalonte te Hibernian në Skoci. Në Premiership i premtohej rol titullari.
Në Skoci shtatlarti dalloi menjëherë duke realizuar 9 gola dhe 2 asiste në 14 ndeshjet e para. Sezonin pasardhës u aktivizua rregullisht në 43 ndeshje duke shënuar 13 gola dhe 7 asiste. Synimi i tij ishte që të fitonte sa më shumë përvojë.
Kamberi ka dalluar për nga mënyra e lojës. Me karakter të fortë. Luftarak në duelet për topin. I aftë në lojën në ajër. I fuqishëm në zotërim dhe po aq në goditjet me këmbë. Golashënues dhe falë shpirtit të skuadrës është edhe asistues i mirë. Mosha 24-vjeçare i premton zhvillime të suksesshme në karrierë.
Aktualisht te Hibernian ai është liruar nga largimi i trajnerit Paul Heckingbottom, i cili nuk po i jepte shumë hapësira. Me ardhjen e trajnerit të ri, Eddie May, gjërat kanë ndryshuar.
Në kombëtare është ndjerë mungesa e një lojtari të tillë krah Çikalleshit. Formacioni 3-5-2 i Edoardo Rejas kërkon dy sulmues të fuqishëm, të cilët mund të finalizojnë mirë, por dhe të lidhen me skuadrën.
Fakti që Kamberi mund të luajë të gjitha rolet e sulmit dhe përshtatet në skemën e Rejas i jep kombëtares garanci se jo vetëm skuadra do të ketë më shumë tipare sulmuese, por do të ketë edhe më tepër alternativa.
Lëndimet apo rënia në formë e disa prej sulmuesve të kombëtares – Sadiku, Manaj, Balaj – e kanë penalizuar në disa ndeshje Shqipërinë. Ardhja e shtatlartit Kamberi rrit konkurrencën në grup, jep alternativa dhe zgjidhje lëvizjeve taktike që Reja aplikon gjatë ndeshjeve. Për këtë sfida kundër Andorrës mund të jetë prova e parë.