Përmbledhje e takimeve elektorale të PD

Nga Exit News
Përmbledhje e takimeve elektorale të PD

Përfaqësues të Partisë Demokratike të hënën kanë zhvilluar takime elektorale në disa qarqe të rëndësishme.

Drejtuesi politik i Elbasanit Gazment Bardhi u shoqërua nga kandidatja për deputete, Zheni Gjergji në takimin më banorët e lagjjes “Qemal Stafa” në Elbasan.

Bardhi u shpreh se, ndryshe nga PS, Partia Demokratike nuk do t’u shtrijë kurrë dorën bandave për të ardhur në pushtet.

Nuk do na dëgjoni kurrë t’i shtrimë dorën apo ti kërkojmë bashkëpunim banditëve, qoftë kjo edhe me kosto të pushtetit sepse nuk duam të vijmë në pushtet dhe të bëjmë këtë që bënë këta në tetë vite,” deklaroi ai.

Ai shpalosi qëllimin e PD për rritjen e pensioneve e pagave, si dhe uljen e taksave.

Bardhi ironizoi kryeministrin Rama, që ka quajtur popullin dembel, duke thënë se shqiptarët kanë shkëlqyer kudo që kanë shkuar.

Ndërkohë, kandidati për deputet i qarkut Dibër, Xhelal Mziu, vizitoi tregun e fruta-perimeve në qytet dhe u njoh me ankesat e tregëtarëve.

Ata akuzuan qeverinë për abuzim me fondet e ndërtimit të tregjeve, që i kanë detyruar të shesin në rrugë.

Kjo situatë ku mungon tregu, mungojnë pikat e grombillimit, mungojnë frigoriferët, mungon shteti, fermerët kanë marrë masa ekstreme duke i prerë pemët, pasi prodhimet kalben dhe hidhen përrenjve“, u shpreh Mziu.

Kandidati tjetër për deputet i PD-së, Bardh Spahia, ka qënë në Shkodër, ku është njohur me shqetësimet e banorëve të zonës.

Spahia i ka siguruar banorët se programi i Partisë Demokratike, ka një plan konkret “për ekonominë, për familjen, për rininë, për rikthimin e shpresës për të ndaluar emigracionin masiv.

Tema e emigracionit është prekur edhe nga zëdhënësja e PD-së, Florjana Garo.

Ajo ka shpërndarë një mesazh në rrjetin Facebook, ku thotë se është koha të marrim në dorë të fatin e fëmijëve tanë.

Që ata mos shohin shpresë vetëm rrugëve të Europës, por të ndërtojnë jetën e të ardhmen këtu në Shqipëri, pranë familjes e njerëzve të zemrës,” shkruan Garo.

Ndërkohë, Kordinatori politik per Qarkun e Korçës, Edmond Spaho ishte Leshnicë dhe Bletas, ku u takua me fermerë të këtyre fshatrave.

Fermerët u ankuan për mungesën e tregjeve të shitjes, mungesën e ujit dhe infrastrukturës.

Spaho premtoi subvencionimin e bujqësisë me 100 milion Euro, por edhe ndihmë për ndërtimin e sistemeve të vaditjes apo blerjen e mjeteve e pesticideve bujqësore me 50 milion €  të tjera.

Ne do ti mbështesim familjet përmes subecionimit të pagesës së energjisë me vendosjen e fashës së 300 kilovatorë për familjet në nevojë, interesa zero për kredimarrje në blerje banese , pagesën e përmuajshme 30 mijë lekë për çdo lindje, pagesën e tarifave të shkollimit të fëmijëve nga shteti,” shtoi ai.

Bujar Leskaj, kandidat i qarkut Vlorë, ka patur një takim me grupe të personave me aftësi të kufizuara në qytet.

Ata raportuan probleme me marrjen e kujdestarisë apo pamundësinë për të mbijetuar me ndihmën e ulët ekonomike, edhe kur shpalleshin përfitues.

Leskaj i siguroi qytetarët se qeveria e re do të punojë për dinjitet dhe mirëqënie për këtë kategori.

Jo me lëmoshë, por me dinjitet, punësim dhe respekt të vlerave që ata kanë dhe kontributit që mund t’i japin shoqërisë shqiptare,”– u shpreh ai.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>