Partia Demokratike vazhdon të denoncojë projektligjin e qeverisë për rritjen e çmimit të naftës.
Në një dalje për shtyp, Enno Bozdo e quajti gënjeshtër justifikimin e qeverisë se rritja e çmimit të naftës është detyrim i BE-së.
“Kjo është një gënjeshtër e pastër sepse Shqipërisë vërtet i kërkohet mbajtja e rezervave të sigurisë së karburantit, për t’u përdorur në rast emergjencash kombëtare, por kjo nuk është aspak gjë e re. Industria shqiptare e sektorit të naftës dhe gazit e ka patur detyrimin për të mbajtur këto rezerva që në vitin 1999, me ligjin që është ende sot ne fuqi”, tha Bozdo.
Siç e ka analizuar më parë Exit.al, projektligji i propozuar që në fillim të vitit nga qeveria synon të krijojë një Agjenci shtetërore e cila do të mbledhë rezerva nafte. Për ta bërë këtë ajo do të tarifojë operatorët gjë që mund të ndikojë te çmimi. Përveç kësaj, projektligji lë mundësi për një tjetër koncesion.
Sipas PD-së, me lekët e taksapaguesve, Agjencia ‘do t’i riblejë industrisë sasi nafte, për të cilën qytetarët kanë 15 vite që paguajnë’.