
Partia Demokratike vazhdon të denoncojë përpjekjet e qeverisë për t’ia faturuar qytetarëve koncesionet e saj të dyshimta në sektorin e naftës.
Përmes ish-deputetes Izmira Ulqinaku PD theksoi sot se karburanti mund të shtrenjtohet edhe me 20 lekë për litër, për shkak të koncesioneve si ai i pompave të naftës apo i rezervës së sigurisë.
Në deklaratën për shtyp PD tha se i referohej të dhënave prej bizneseve dhe se “sot çmimi i naftës në treg është 64% taksa ndërsa Shqipëria është ndër 20 vendet me çmimin më të shtrenjtë të naftës në botë”.
Sikurse pati denoncuar edhe më parë në deklarata të tjera PD e akuzon qeverinë se, prej vitit 2014, rriti me 24 lekë për litër taksën e qarkullimit që paguhet nga qytetarët ndërsa vazhdon të mos ndalet me dhënien e shërbimeve me koncesion.
Çmimi fundor i karburantit pritet të rritet edhe më tej prej dy “PPP-ve të tjera” atë të pompave të karburantit dhe krijimin e një agjencie për rezervën e sigurisë për karburatin.