Talibanët festuan të martën fitoren kundër Shteteve të Bashkuara duke qëlluar me armë në ajër.
Në disa qytete ata zhvilluan paradë me arkivole të mbështjellë me flamujt e SHBA-ve dhe NATO-s.
“Jemi krenarë për këto momente, që ne e çliruam vendin tonë nga një fuqi e madhe,” citohet nga Reuters zëdhënësi i talebanëve Zabihullah Mujahid, duke folur për mediat në aeroportin e Kabulit.
Nga njëra anë shihet gëzimi dhe triumfi, ndërsa nga ana tjetër frika. Nga njëra anë festohet me funerale me flamuj perëndimor, nga ana tjetër njerëzit zënë radhë në banka, të cilat janë mbyllur në Kabul qysh prej rimarrjes nga talebanët.
Regjimi taleban imponoi një lexim të vetin mbi ligjin islamik nga viti 1996 deri në vitin 2001, i cili ishte veçanrisht i ashpër me gratë.
Dëshmirë e para mbi rrahjet e grave në publik ditët e fundit hedhin dyshime mbi politikat e moderuara, të premtuara nga talebanët. Ata kanë njoftuar se do të formojnë qeverinë e re këtë javë.
Shkatërrimi nga luftimet e fundit, ndasitë mes njerëzve, zbrazja e administratës dhe ndërprerja e ndihmës së huaj e ka lënë vendin në gjendje të pasigurt.
Mijëra afganë janë larguar tashmë nga vendi, nga frika e hakmarrjes talebane.
Tashmë, sundimi i talebanëve shtrihet mbi një territor edhe më të gjerë seç ishte para se të pushtohej nga Amerika, për shkak se përdorej si vendstrehim për organizatën terroriste al-Qaeda.
Afganistani përbën luftën më të gjatë të SHBA-ve, e cila mori jetën e gati 2 500 ushtarëve e rreth 240 000 afganëve. Ajo llogaritet të ketë kushtuar afërsisht 2 trilionë dollarë. Ajo përfundoi në një tërheqje poshtëruese për Amerikën dhe aleatët e NATO-s.
Ushtari i fundit amerikan u fut në avionin C-17 një minutë para mesnate.