Tani drogën e gjejnë edhe gazetarët…

Nga Carloalberto Rossi
Tani drogën e gjejnë edhe gazetarët…

Qeveria shqiptare tashmë ka disa muaj që po përpiqet t’u tregojë partnerëve të huaj se është angazhuar në luftën kundër prodhimit dhe trafikimit të narkotikëve në Shqipëri.

Çështja më e ndërlikuar për qeverinë Rama, e cila ndodhet në pushtet prej pesë vitesh, është të tregojë se në luftën kundër drogës diçka është përmirësuar, duke argumentuar se në kohën e qeverisjes demokrate nuk bëhej asgjë për luftën kundër drogës.

Çështja nuk është e thjesht, sepse përkundër deklaratave të opozitës dhe kapjes së vazhdueshme të kanabisit shqiptar në brigjet italiane, për më shumë se dy vjet qeveria Rama e mohoi me këmbëngulje ekzistencën e drogës, ndërsa tani i duhet të argumentojë se droga që nuk ekzistonte është duke u shfarosur!

Qendrimi mohues i qeverisë Rama ndaj drogës u mbështet edhe nga disa diplomatë dhe funksionarë të huaj, mediokër ose të korruptuar, të cilët, për dembelizëm apo përfitime, nuk e pranuan për një kohë të gjatë, as kalimthi, ekzistencën e problemit të drogës në Shqipëri.

Këmbëngulja e tyre në mohimin e problemit të drogës arriti në pikën sa tashmë e gjithë pjesa e ndërgjegjëshme e shoqërisë shqiptare, përfshi shumicën e socialistëve, ka arritur në përfundimin se jo vetëm qeveria e dinte problemin, por edhe partnerët e huaj e dinin dhe heshtën. Kjo dukuri nuk është e huaj për asnjë nga të dyja palët.

Sigurisht hetimi i prokurorisë së Katanias dhe arrestimi në Itali i njërit prej kushërinjve të ish-ministrit Tahiri, nën përgjim prej katër vitesh, e lehtësoi këtë vetëdijësim. Më pas, emërimi i Fatmir Xhafës ministër i brendshëm dhe ndryshimi radikal i hierarkisë së policisë—deri pak kohë më parë e përgëzuar nga Rama dhe e akuzuar për përfshirje në trafik nga opozita—e zyrtarizoi faktin se shumë institucione të qeverisë ishin në dijeni të dukurisë.

Flamurtarë dhe mbrojtës të fshehjes së narkotrafikut në Shqipëri ishin edhe organizatat e mediave që mbronin dëshpërimisht qeverinë Rama dhe ministrin Tahiri, duke publikuar komunikatat që nxirrte qeveria—të ngjashme me ato të MinCulPop, ministrisë fashiste të propagandës—ku fshiheshin apo përgënjeshtroheshin lajmet e pakëndshme dhe theksoheshin pohimet miqësore të ndonjë bashkëfajtori të huaj, duke shpifur dhe duke tallur me çdo mjet të mundshëm opozitën dhe ata që mendonin ndryshe: kanabisi në Shqipëri ishte si Mafia në Siçili, dhe natyrisht dihet që Mafia, thjesht nuk ekzistonte.

Tani situata ka ndryshuar, të gjitha mediat evropiane dhe të gjitha raportet e institucioneve të huaja, të cilat më pare heshtnin, tani flasin çdo ditë për krimin e organizuar shqiptar të kthyer në problem parësor, në fillim në Itali, më pas në Hollandë dhe në Mbretërinë e Bashkuar, dhe tani kanë filluar edhe gjermanët, amerikanët madje edhe kolumbianët.

Tani edhe ata shqiptarët politikisht korrektë po përpiqen të tregojnë se janë në rrjesht të parë, (duke nënkuptuar: si gjithmonë), në luftën kundër narkotrafikut. Duke marrë meritat e origjinës së sekuestrimeve të drogës, duke bashkëpunuar, ashtu sikurse vetëm të penduarit e mafias dinë të bëjnë, të gjithë në kërkim të drogës, në çdo shtëpi e në çdo cep. Ata gjithmonë janë më të mirët, të parët, dhe të vetmit mbrojtës të drejtësisë (së reformuar) dhe të shtetit të së drejtës.

Së bashku me ta janë edhe burimet e manipulimit të opinionit publik, në kërkim të besueshmërisë, e cila nga heshtja e gjatë dhe fshehjet e shumta, është shteruar e gjitha. Tani, nuk kalon ora pa patur një lajm mbi arrestimet e narkotrafikantëve shqiptarë në Evropë apo sekuestrimet e sasive të mëdha në Shqipëri, të cilat ndoshta janë të mbetura prej dy vitesh dhe tani po përdoren nga policia e “rilindur” për të treguar se ajo po lufton në rrjesht të parë, ndonjëherë edhe e vetme kundër narkotrafikut.

Ndaj ne sot lexojmë dhe shikojmë reportazhe të shumta televizive që flasin për ngarkesa disa kuintalëshe marijuane të gjetura drejtpërdrejt nga gazetarët e dikurshëm mbulues të së vërtetës, pa ndërhyrjen e policisë dhe aq më pak të gjykatës apo prokurorisë.

Dhe jo nga gazetarë të çfarëdoshëm, të një portali të vogël të opozitës, jo—pikërisht nga ata afër pushtetit politik, të atij pushteti politik që ndihmoi dhe mbuloi në kthimin e Shqipërisë në plantacion droge.

Por kanabisi i gjetur ditët e shkuara ishte në të vërtet i kalbur, sepse ishte groposur nën tokë, sipas tyre, për të mos u gjetur nga policia, kurse sipas disa të tjerëve u gjet pikërisht sepse ishte kalbur.

Në Itali këta i quajnë “antifashistët e orës së fundit”, si ata që deri në vitin 1944 shkruanin nëpër gazeta si ajo “La difesa della razza” por që më pas pas publikonin me bujë vrasësin e Giovanni Gentiles.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>