Task Forca — goditje propagandistike apo grusht shteti?

Nga Karlo Kuçi
Task Forca — goditje propagandistike apo grusht shteti?

Në një paraqitje publike nga Ministria e Brendshme të aksionit të quajtur Forca e Ligjit, qeveria lajmëroi nxitimthi krijim e një Task Force kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ajo do të veprojë pranë Ministrisë së Brendshme, duke koordinuar institucione të ndryshme shtetërore (prokurorinë e krimeve të rënda, shërbimet sekrete, Ministrinë e Financave, Ministrinë e Mbrojtjes) dhe do të jetë përgjegjëse për hetimet kundër krimit të organizuar.

Sipas zërave të njëjtë dhe deklaratave të ngatërruara, duket se brenda kësaj Task Force do të punojnë agjentë të FBI-së amerikane, Ministrisë së Brendshme të Mbretërisë së Bashkuar dhe të Italisë.

Media të ndryshme kanë publikuar skemën e organizimit të kësaj Task Force, e cila lë të dyzuar këdo që ka kujtesë dhe kulturë juridike minimale.

Lexuesit e vëmendshëm mund të kujtojnë se në fillim të qeverisjes në vitin 2013, Kryeministri lajmëroi krijimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit—një institucion hetimor nën shembullin e Byrosë Federale të Hetimit të SHBA-ve—por opozita u ngrit kundra duke u shprehur se kjo strukturë hetimi, për shkak të parimeve kushtetuese, nuk mund të ishte nën varësinë e qeverisë, por duhet të varej nga Prokuroria e Përgjithshme.

Si zakonisht, kur sheh qëndresë, Rama e la të hidhej poshtë këtë propozim dhe pas një udhëtimi në Turqi dhe një këshillim me Erdoganin, hodhi në qarkullim idenë e projektit radikal të reformës në drejtësi, e cila shpejt çoi në debatet e famshme mbi vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve, dhe solli netët luftarake parlamentare gjatë verës së vititi 2016.

Reforma në drejtësi e zgjidhi problemin duke krijuar një Prokurori Kombëtare Speciale antikorrupsion, me detyrën për të hetuar të gjitha veprat e krimit të organizuar dhe të korrupsionit përmes një Njësie të Pavarur të Hetimit, por gjithmonë nën mekanizmin e prokurorisë, të rregulluar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP). Në këtë mënyrë, u ruajt pavarësia e prokurorisë nga qeveria.

Por pak ditë më parë, ministri i ri i Brendshëm, më parë ministër i Drejtësisë dhe tre vitet e fundit koordinator i reformës në drejtësi, propozoi me zhurmë të madhe një strukturë të quajtur Task Forcë, në varësinë e Ministrisë së Brendshme.

Sipas organigramës së publikuar, ajo do të hetojë krimin e organizuar dhe korrupsionin, si në nivel kombëtar dhe në nivel vendor, duke shkëmbyer informacion me prokuroritë, shërbimet sekrete, zyrën e taksave dhe hipotekave e me radhë.

Në këtë mënyrë duket se Task Forca është një institucion i destinuar të zëvendësojë, të paktën në nivelin operativ, prokurorinë speciale (SPAK)— strukturën speciale kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar të parashikuar nga reforma në drejtësi.

Një detaj nga skema e publikuar nënkupton një shpjegim dramatik. Në faqen e quajtur struktura e Task Forcës, parashikohet që Prokurira e Krimeve të Rënda të jetë pjesë e organizimit të Task Forcës, por jo në krye të saj sikurse kërkohet nga Kushtetuta.

Fatkeqësisht për qeverinë, Prokuroria e Krimeve të Rënda ekzistonte në kohën e propozimit të krijimit të byrosë së hetimit, por nuk ekziston më pas reformës në drejtësi.

Ky detaj sugjeron se, e gjendur ngushtë nga kërkesat e komunitetit ndërkombëtar dhe, në veçanti, nga qeveria italiane dhe duke dashur të tregojë sa më parë se po vepron në drejtimin e treguar nga ndërkombëtarët, qeveria ka ricikluar projektin e vjetër të byrosë së hetimit, pa e vrarë mendjen të korrigjojë atë detaj grafik.

Pra, do të jetë vetëm tym dhe propagandë për ndërkombëtarët, me shumë misione komode dhe të shtrenjta të asistencës teknike për të “kënaqur” funksionarët e tyre.

Alternativa tjetër është më e rëndë, pra, që Xhafaj po përpiqet të përqendrojë në duart e qeverisë policinë dhe drejtësinë, njësoj sikurse ishte në periudhën më të errët të diktaturës dhe njësoj siç donte të bënte Rama kur propozoi byronë kombëtare të hetimit. Duket se ata e kanë vendosur krijimin e Task Frocës pa e çarë kokën për parimin e pavarësisë së sistemit të drejtësisë të përcaktuar në Kushtetutë, pa e shpërfillur fare organizimin institucional të krijuar nga reforma në drejtësi, dhe, nga nxitimi, pa e kaluar as në Kuvend.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>