Të dielën 21 qershor, Serbia do të zhvillojë zgjedhjet e përgjithshme parlamentare.
Zgjedhjet ishin planifikuar fillimisht në 26 prill, por u shtynë për shkak të pandemisë së Covid-19.
Për herë të parë në historinë e zgjedhjeve të Serbisë, partitë shqiptare të Luginës së Preshevës do të garojnë më një listë të përbashkët në zgjedhje.
Ata garojnë me numrin 16 me emrin Alternativa Shqiptare- Lugina e Bashkuar.
Synimi i tyre është fitorja e të paktën tri mandateve deputetësh në Kuvendin e Serbisë.
Në zgjedhje kandidojnë 21 lista të ndryshme për 250 mandate deputetësh.
Partia Përparimtare Serbe (SNS) e presidentit Aleksanda Vuçiç kryeson në sondazhet parazgjedhore, sipas disa prej tyre ajo mund të fitojë deri në 60-62 për qind të votave.
Një tjetër parti që pritet të marrë shumë deputetë është Partia Socialiste e Serbisë (SPS), e ministrit të Jashtëm Ivica Daçiç. Aktualisht, partia e Vuçiçit dhe Daçiçit janë në koalicionin qeverisës.
Partitë opozitare, dhe sipas sondazheve, nuk duken optimiste për të arritur rezultate të mira në zgjedhjet e 21 qershorit.
Disa media thonë se shumë subjekte, nga 21 sa konkurrojnë në zgjedhje, janë në fakt prodhim i vet partisë në pushtet dhe presidentit Vuçiç, i cili synon që në opinion të lë përshtypjen se zgjedhjet janë tërësisht të rregullta dhe demokratike.
Vuçiçi është në pushtet prej tetë vitesh- në postin e kryeministrit dhe presidentit. Gjatë kësaj kohe ai ka marrë nën kontroll shumicën dërmuese të mediave dhe një sërë pushtetesh të tjera, duke e kthyer veten në një lider pushtetplotë.