Dy ditë më parë, deputeti socialist i Vlorës Koço Kokëdhima, mblodhi në një takim në Vlorë drejtorët e administratës publike në qytetet e Jugut. Nuk ka njoftim zyrtar se çfarë është biseduar në atë takim, por burimet nga PS thanë se Kokëdhima iu ka kërkuar drejtorëve të punësojnë më shumë socialistë në institucionet e tyre.
Ky takim, në dukje normal, është tregues i një prej problemeve kryesore të qeverisjes në vend: uzurpimin dhe drejtimin partiak të gjithë pushteteve në vend, përfshirë dhe administratën publike.
Rrjeshtimi i drejtorëve të administratës publike nga një deputet është shkelje e parimit të ndarjes së pushteteve. Kokëdhima i përket pushtetit legjislativ, ndërsa drejtorët i përkasin pushtetit ekzekutiv. Kokëdhima nuk ka asnjë të drejtë ligjore të kërkojë që punonjësit e administratës publike t’i raportojnë atij, e aq më t’i urdhërojë ata për çfarëdolloj gjëje.
Në shkelje të plotë të parimit të ndarjes së pushteteve janë edhe vetë drejtorët, të cilët pranojnë urdhëra nga deputetë e përfaqësues partiakë.
Një tjetër shkelje në këto takime është ajo mes pushtetit qëndror dhe atij lokal. Shumë prej drejtorëve, që Zoti Kokëdhima vë në rrjesht para tij, janë drejtorë të pushtetit lokal.
Protagonizmi i Zotit Kokëdhima në punët publike të pjesës jugore të vendit të krijon përshtypjen që ai e konsideron veten guvernator të jugut të Shqipërisë dhe jo anëtar të Kuvendit të Shqipërisë.
Por Zoti Kokëdhima nuk është i vetmi politikan që njehson administratën publike me partinë. Të njejtën gjë ka bërë edhe vetë Kryeministri Edi Rama në Shkodër. Në fushatën për zgjedhjet e 21 qershorit, ai mblodhi drejtorët e qarkut të Shkodrës dhe kërkoi prej tyre që të angazhoheshin në fushatën e PS-së. Në një material audio, publikuar neë media, Kryeministri Rama i urdhëronte drejtorët lokalë të mbushnin kutitë e votimit me vota për koalicionin e majtë ose në të kundërt duhet të largoheshin nga puna.
Kohët e fundit janë publikuar në media lista të hartuara në selitë e partive politike, me emërime në administratë. Listat faktojnë numrin e militantëve të emëruar nga deputetët të dy partive, PS e LSI në administratën publike.
Mbledhja e deputetit Kokëdhima me drejtorët e Vlorës, apo e Kryeministrit Rama me drejtorët e Shkodrës dhe rastet e emërimeve partiake në administatë, dëshmojnë se në vend nuk ka ndarje reale të pushteteve të cilët kontrollohen të gjithë nga partia apo partitë në pushtet.
Është e njëjta metodë e administrimit publik të vendit si në diktaturën komuniste, kur gjithçka kontrollohej nga partia-shtet.