Të gjithë heshtin për hetimin e gjyqtarëve Malaj dhe Gjermeni

Të gjithë heshtin për hetimin e gjyqtarëve Malaj dhe Gjermeni

Në shtator 2015, kreu i Gjykatës së Apelit të Tiranës Alaudin Malaj u padit nga Inspektoriati i Deklarimit të Pasurive (ILDKPKI) për krijimin e një skemë mashtrimi, për të mbuluar burimin e pasurisë së tij prej të paktën 1,7 milionë eurosh.

Në janar 2016, gjyqtari i Gjykatës së Tiranës Artan Gjermeni u plagos në rrethana të paqarta. Plagosja e tij u zbulua pasi gjyqtari kërkoi trajtim mjekësor në spitalin publik. Ai deklaroi para policisë se ishte plagosur aksidentalisht në garazhin e tij. Policia nuk gjeti asnjë element për të mbështetur këtë deklarim, ndërkohë, në makinën e tij ajo gjeti rreth 20 mijë euro.

Për rastin e Zoti Malaj, mediat njoftuan fillimisht shkurtimisht padinë e ILDKP-së në prokurori, por shumica e tyre e hoqën lajmin nga faqet e tyre online brenda pak orësh. Që atëherë, nuk ka patur asnjë informacion apo përmendje të hetimit nga pothuajse asnjë media.

Për rastin e Zotit Gjermeni, mediat fillimisht informuan mbi ngjarjen në mbrëmjen që ajo ndodhi, dhe të nesërmen për mundësinë e hetimit të gjyqtarit për deklarim të rremë dhe për paratë e gjetura në makinën e tij. Që atëhere mediat nuk kanë raportuar apo përmëndur më rastin.

Mediat, që edhe për rastet e kronikës së zezë raportojnë pa fund detaje të hetimit, të jetës, së të shkuarës së familjeve, deri në bezdi, për rastet e gjyqtarëve kanë zgjedhur të heshtin. Kanë heshtur edhe analistët që flasin për ditë për korrupsionin dhe drejtësinë. Heshtur kanë edhe politikanët që flasin për reformën në drejtësi.

I njejti skenar ndodhi edhe në rastin e gjyqtarit Gjin Gjoni, i akuzuar dhe hetuar për pastrim aprash dhe burim të paligjshëm të pasurisë së tij prej miliona euro. I vetmi lajm për të qe kur u padit në prokurori nga ILDKP dhe kur u njoftua që u shpall i pafajshëm. Pafajësia e dyshimtë e tij nuk ngjalli asnjë diskutim, asnjë revoltë, asnjë lloj reflektimi tek askush.

Kështu duket se do ndodhë edhe për dy gjyqtarët Malaj dhe Gjermeni.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>