Ditën e hënë hyn në fuqi urdhri për paraqitjen e çertifikatës së vaksinimit nga personeli arsimor në të gjitha shkollat e vendit, njoftoi ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu të premten.
Të gjithë mësuesit duhet të paraqesin çertifikatën e vaksinimit kur të paraqiten në punë dhe e njejta gjë do të vlejë edhe për studentët duke nisur nga 11 tetori, shtoi Manastirliu.
Alternativa e mungesës së çertifikatës së vaksinimit do të jetë testi i përjavshëm ose mësimi alternativ për studentët e pavaksinuar.
“Për arsimatarë të cilët ende nuk e kanë kryer vaksinimin, do të duhet të paraqesin pranë institucioneve shkollore testin dhe të konfirmojnë që nuk janë të prekur nga COVID19 dhe kjo kërkesë do të jetë kërkesë e përjavshme. Nga ana tjetër, vetë universitetet do të organizojnë mësimin e alternuar për ata studentë të cilët nuk do të kenë kryer ende vaksinimin”, tha Manastirliu.
Shkollave i është lënë në dorë të ngrejnë mekanizmat për kontrollin e çertifikatës së vaksinimit.
Mbi 60% e arsimtarëve në Shqipëri kanë marrë dy doza të vaksinave kundër COVID-19 sipas ministres.
Në Shqipëri janë vaksinuar me dy doza 754 020 qytetarë.
Deri tani kanë mbërritur në vendin tonë 2,045,310 vaksina antiCOVID.