Të ndershmit janë idiotë

Nga Rezart Cenaj
Të ndershmit janë idiotë

Jetojmë në një botë të korruptuar. Nëse një njeri i sinqertë arrin të mbijetojë ai karakterizohet nga të gjithë si idiot. Por a ka të tilla “qenie të çuditshme” tërësisht të sinqerta?

A ka njerëz të pakorruptueshëm dhe jomëkatarë? A ka njerëz të ndershëm, të cilët jo vetëm që nuk kanë bërë asgjë të pandershme, por edhe kur u është dhënë mundësia e kanë shmangur? Ka njerëz që kurrë nuk kanë gënjyer, apo të paktën, nuk kanë thënë të gjithë të vërtetën? Që nuk kanë injoruar asnjë ligj apo rregull të qarkullimit rrugor? Që nuk kanë fshehur asgjë nga tatimet, qoftë edhe një faturë?

Ndoshta problemi është më filozofik. Të vjedhësh nga shteti kur ai përpiqet të të zhysë apo shfarosë për të mirën e “shquar”, është e pandershme apo vetëmbrojtje?

Nëse ligji është skllavëri, privatizim i çdo burimi natyror, uzurpim i pronës publike, betonizim… atëherë të bërit opozitë qenka e pandershme?

E drejta është e ligjshmja?

Kush përcakton çfarë është mëkati? Shteti? Ideologjia dhe feja? Ndonjë ligj i moralit të lartë? Ndoshta ndershmëria është një tjetër fjalë që secili e interpreton ndryshe dhe që merr rëndësi vetëm në sistemet e mbyllura qeveritare, fetare, ideologjike apo artistike? Mos ndoshta të ndershmit ekzistojnë vetëm nëpër filma?

Nëse do të kuptosh se si funksionon bota duhet të tejkalosh paragjykimet e tua duke mësuar nga të gjithë dhe nga gjithçka.

Kur ka ndryshime të papritura dhe destruktive në modelet ekonomike, siç po ndodh në Shqipëri në këtë periudhë të qeverisjes Rama, apo edhe në vende brenda BE-së si Greqia apo Spanja, korrupsioni shkon në nivelet më të larta.

Tregu dhe bankat nuk interesohen për ata që do të varrosen në rrënojat e ndërtesave. Janë në majën e piramidës me fitime të globalizuara dhe të patatuara.

Pastaj vijnë oligarkët e çdo vendi me qentë e tyre politikanë. E kështu me rradhë vijnë kyetarët e bashkive, drejtorët e nëpunësit. Të gjithë marrin pjesën e tyre, në varësi të pozicionit që kanë.

Peshku qelbet nga koka, por dalë-ngadalë fillon dhe kalbet edhe pjesa tjetër e trupit. Askush nuk është i pakompromentueshëm. Është ligj i natyrës. Çdo sistem përpiqet të arrijë rezultat maksimal duke shpenzuar sa më pak energji. Kështu që ndershmëria absolute në një botë të pandershme përkthehet në marrëzi dhe e vetmja gjë që arrihet është prodhimi i heronjve tragjikë.

Pavarësisht nga teoritë e atyre që profetizuan fundin e historisë dhe zhvillimin e shoqërisë pas luftës së ftohtë, lufta e klasave është më e gjallë se kurrë. Ndërkohë që ekonomia është globalizuar dhe demokracia bëhet më atraktive, do të mbeten vetëm tmerrsisht të pasurit me qentë e tyre politikanë, dhe të varfërit. Nuk do të ketë klasë të mesme.

Ajo që ndodh sot në Shqipëri është se pandershmëria e të pasurve është e ligjshme. Parajsa fiskale offshore, fitime të globalizuara, propaganda përmes mediave të kontrolluara, represion dhe luftë. Ndërsa pandershmëria e të varfërve është e paligjshme.

Çfarë është e moralshme dhe çfarë është e ndershme e përcaktojnë fituesit. Në Shqipëri, duhet të mësosh të vjedhësh që të jetosh, sepse në një botë hajdutësh është shumë e rrezikshme të mos jesh hajdut. Duhet të mësosh të jesh i ftohtë akull dhe të mos ndihmosh njerëz që janë në nevojë, sepse ata nuk janë asgjë për ty.

Vetëm nëse je i marrë mund të mendosh se “ne jetojmë si kafshë dhe vdesim si kafshë, sepse ne e shohin njëri-tjetrin sikur të ishte asgjë“.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>