Ndoshta Romana Vlahutin ka vendosur të kërkojë azil politik në Shqipëri. Ose ndoshta ka vendosur të provojë karrierën politike në vendin tonë, që deri më tani i ka dhënë mundësi të heqë mënjanë ndonjë kursim për shkak të pagës së majme të cilën do ta kishte të pamundur ta fitonte duke punuar. Ose ndoshta është goditur nga ndonjë amnezi e rëndë.
Në fakt, pas një heshtje të gjatë e të kujdesshme, ambasadorja e BE-së u bë më në fund e gjallë në skenën politike, para pak ditësh, gjatë paraqitjes publike të projektit “Forca e ligjit”, që synon riorganizimin e policisë në luftën kundër krimit të organizuar, duke deklaruar me shumë energji dhe retorikë të lartë:
…[S]hqiptarëve u kishte ardhur në majë të hundës. U kishin ardhur në majë të hundës dekada arrogance të grupeve të interesit të korruptuara dhe të kriminalizuara që besojnë se Shqipëria ekziston për t’i bërë ata të pasur dhe se ata nuk i detyrohen për asgjë shtetit dhe popullit që i quajnë të vetët.
… [N]ë të kaluarën njerëzit i shisnin shtëpitë për atdheun, tani shesin atdheun për shtëpinë e tyre.
…[J]o të paprekshëm, jo nga ata që e blejnë drejtësinë apo abuzojnë me të me një telefonatë.
…Krimi i organizuar ekziston në shumë vende dhe nuk i bëhet vonë për pothuaj asgjë: për jetët njerëzore, kufijtë, komunitetin. Por në shumicën e vendeve ai ndeshet me një reagim të fortë dhe të ashpër nga ligjzbatuesit dhe gjyqësori. Kjo është ajo që bën dallimin – aftësia e institucioneve për t’iu përgjigjur sulmit, për të marrë kontrollin dhe për të ndëshkuar.
…Nuk duhen shumë mend apo ndonjë guxim i veçantë për të qenë kriminel. Një personi thjesht duhet t’i mungojnë vlerat morale bazë dhe të jetë egoist i pamëshirshëm.”
Ndryshe nga tradita diplomatike e pjesës më të madhe të vendeve europiane, të cilat supozohet se Vlahutin i përfaqëson në Shqipëri, kroatja vendosi të dalë nga heshtja në të cilën ishte vetëtërhequr, duke u ngjitur në tribunë si përfaqësuese e popullit shqiptar—duke interpretuar vullnetin dhe dëshirat e popullit—rol që mendohej se u takonte politikanëve shqiptarë të dalë nga zgjedhjet, të cilat Vlahutin nxitoi t’i deklarontetë rregullta.
Dhe tani ajo (që nuk është zgjedhur nga askush) gjëmon dhe godet, në emër të popullit shqiptar, kundër institucioneve shqiptare (të cilat duhet të ishin fuqizuar nga programet e ndihmës së administruar prej saj) dhe kundër paaftësisë së tyre (duke mos e kuptuar që në fakt është për mungesë të vullnetit).
Tek fliste, dukej se e kishte harruar që mbi tre vjet kishte mburrur qeverisjen dhe Kryeministrin, dhe që kishte qenë në krah të qeveritarëve, madje shpesh krah për krah me atë ministër të brendshëm që sot akuzohet për lidhje me trafikun e drogës nga kriminelët shqiptarë dhe mafia siçiliane.
Këtë harresë nuk e kompenson dot më as lista kujtesë, e lexuar në të njejtin aktivitet nga kolegu i saj Donald Lu, me emrat e përfshirjes kriminale në politikë— Frroku, Ndoka, Roshi dhe Mahmuatj (vini re mungesën e madhe në listë)—të gjithë të zgjedhur mes duartrokitjesh dhe të certifikuar nga çifti Vlahutin-Lu.
Duket se ose Romana nuk e ka kuptuar ende se nga cila anë qendrojnë kriminelët, ata që mund të bëjnë telefonata tek i madhi, ose ndoshta kujtesa e saj është edhe më e dobët se aftësitë e saj diplomatike.