Personat e infektuar me COVID-19, që janë karantinuar në shtëpi apo trajtohen në spital nuk do të kenë mundësi të votojnë në zgjedhjet e 25 prillit sipas Komisionerit Publik, Ilirjan Celibashi.
Celibashi tha në një intervistë në ABC se askush nuk do të pengohet të hyjë në qendrën e votimit por “ata të cilët që janë të detyruar të karantinohen nuk duhet të dalin nga banesa, pasi ndryshe do të jenë në shkelje të ligjit, ata përbëjnë rrezik”.
Drejtuesi i KQZ-së shpjegoi se Kodi Zgjedhor përcakton se “nëse do të votosh do të duhet të paraqitesh në qendrën e votimit”.
“Nuk e kemi sistemin për dërgimin e kutive në shtëpi” tha ai, ndryshe nga Kosova ku votuan të infektuarit me COVID-19 në spitale pasi parashikohet vota për personat me kërkesa të veçanta.
“Ai që është infektuar do të prekë fletën e votimit që do të merret nga komisioneri. Numri është sinjifikativ, por janë disa gjëra që duhet t’i vendosim në balancë.”, deklaroi Celibashi.
Aktualisht janë 33 946 të infektuar aktivë me COVID-19 të cilët nëse zgjedhjet do të zhvilloheshin sot nuk do të mund të votonin.