Teatri, si manifest në mbrojtje të qytetit dhe demokracisë

Nga Andi Tepelena
Teatri, si manifest në mbrojtje të qytetit dhe demokracisë

Nisur nga debati për Teatrin që është “shndërruar” në temë politike të ditës, do të përpiqem të bëj një parantezë se çfarë po ndodh me Teatrin në raport me qytetin dhe demokracinë tonë. Demokracia si proces që kërkon për zhvillimin e saj dhe ndërtimin funksional dialog me grupet e interesit, duket sikur të mos jetë devijuar, dhe në më të shumtën e rasteve ky dialog injorohet. Sa kaq duket t’i ketë shkaqet dhe në trashëgiminë që shoqëria jonë mbart nga sistemi totalitar. Sjelljet, tashmë të perceptueshme “ictu oculi” klienteliste të “Rilindjes”, kanë deformuar thelbin e demokracisë dhe kanë shtrembëruar parimet e ekonomisë së tregut. Ato kanë bërë që të dobësohet kohezioni social duke detyruar shqiptarët të braktisin vendlindjen. Kjo formë qeverisje duket të jetë bërë e huaj për shqiptarët dhe aspak garantuese e principeve demokratike mbi të cilat ajo duhet të udhëheqë bashkërendimin social! Nga ana tjetër, rrënimi i trashëgimisë historike-kulturore, po merr trajtat e një degradimi kulturor.

Për fat të mirë, demokracisë sonë të deformuar në këtë moment i vjen në ndihmë protesta “maratonë” e Teatrit, i vetmi për nga rëndësia kulturore që mund të ndihmojë në ringjalljen e frymës dhe shpirtit të demokracisë. Teatri është treguesi më i qartë se si politika e keq-qeverisjes vendore është shndërruar në një “gangrenë betoni”, që po gërryen deri në “kockë” hapësirën publike. Mungesa e konsultimit me grupet e interesit dhe mungesa e transparencës së politikave urbane, dhe krijimi i zonave gri në qendër të Tiranës, të gatshme të kthehen në kulla, pasqyrë e spekulimit financiar do të sjellin pasoja të pariparueshme për qytetin, mjedisin dhe shëndetin psiko-fizik të banorëve të vet.

Tirana eshtë qytet heterogjen, një produkt arkitektonik i disa proceseve historike, ku në të ndërthuren shumëllojshmëri stilesh, si ai otoman, monarkist, fashist, socio-realist i stampës sovjetike-kineze apo stili kakofonik i tranzicionit të stërzgjatur demokratik. Marrëzia pas kullave të larta po shpërfytyron dita-ditës, Tiranën. Qytetit të sotëm i mungon një fizionomi harmonike e përgjithshme. Ajo duket si koleksion i elementëve arkitekturorë që nuk lidhen dhe nuk komunikojnë me hapësirën ku shtrihen. Kryeqyteti ynë ka një përhapje gjeografike nga qendra në periferi me një numër “ekstravagant” shtëpish që kanë krijuar një hartë më vete të zonave informale, si pasojë e lëvizjeve demografike të pakontrolluara; e çfarë shtëpish! Në qendër, Tirana, tkurret nga kullat, e çfarë kullash! Arkitektura ka vdekur. Në periferi nga ndërtime “multiformëshme, që nëse do të kishin pasur pak stil Guadìan, ndoshta do te kishin dhënë edhe një qasje ndryshe të perceptimit të tyre”. Po kush e zëvendëson Tiranën e sotme? Kush e di sa para do të duheshin për ta ndrequr këtë arkitekturë, të ndërtuar si fole mizash me një larmishmëri të shëmtuar, karakter të paparashikueshëm që provokon ndjesi të dhunshme? Askush nuk është në gjendje t’i japë një përgjigje! Tirana e parë nga lart të ngjan me skena apokaliptike, ku betoni duket të mbizotërojë sovran, e shqepur dhe kaotike, kakofoni arkitekturore e denjë për Lindjen e Mesme, post bombardimesh, apo Amerikën Latine, ku ndërmend të vinë favelas Braziliane. Tirana, për syrin estetik ngjan si një krijesë arkitektonike e “djallit”, produkt i politikës dhe arkitektët e ferrit. Orientalizëm, pa orientalizim, pasi dhe ky i fundit mbart në vetvete shekuj trashëgimie artistike dhe kulturore – Kaos!

Tirana është qytet i mbipopulluar, me një dendësi prej 15 mijë banorë për km katror, apo katër herë më e lartë sesa norma e BE, aty ku nuk arrin të depërtojë drita e diellit mes pallateve, mungon ajri, sheshet për të rritur fëmijët dhe parqet për të bërë një shëtitje në muzgun stinor.

Tirana nuk është një kryeqytet atraktiv për kompanitë botërore të fuqishme, të cilat do të justifikonin ndërtimin e kullave si seli të aktivitetit të tyre ekonomik-financiar. Tirana është vetëm parajsa e call centerave, edhe për pak ndoshta. Tirana nuk ka nevojë për fuqi punëtore nga vendet azitatike apo afrikane, pasi vet ajo, ka nivel papunësie tashmë në nivele alarmante. Tirana ka një manaxhim politik jo demokratik, pavarësisht propagandës ngadhënjyese apo retorikës aristoteliane të përpunuar “ad hoc”, qytetarët e saj nuk pyeten çfarë mendojnë për mënyrën sesi shpërndahen dhe shpenzohen taksat e tyre. Tiranasit ftohen vetëm një here në katër vjet për të votuar dhe, më pas, misioni i tyre bashkëqeverisës duket të tretet sikur ëndrrat e një vizionari të Immanuel Kant.
Por çfarë duhet të bëjmë?

Në këtë moment kritik për qytetin lipset një rikthim urgjent te njerëzorja, te dimensioni i humbur social- kulturor.
Nuk duhet të lejojmë kurrsesi të lëshojmë hapësira të hapura publike të zihen apo privatizohen me kulla shumëkatëshe, fantazma të vetvetes dhe dëshmi e babëzisë. Kullat zhvleftësojnë cilësinë e jetës. Banorët e këtij qyteti një ditë do të turpërohen që e lejuan këtë marrëzi. Natyrisht ka vend për krijimin e hapësirave të lira urbane për plane arkitekturore të guximshme që ndryshojnë nga modelet tradicionale në funksion dhe formë, por çdo qytet ka një përgjegjësi specifike. Nëse ky model aplikohet në New York, nuk mund të aplikohet në Tiranë. Nuk ka nevojë për zgjidhje globale, por zgjidhje të pjesshme në harmoni me mjedisin rrethues, ku lehtësisht kontakti njerëzor në rrugë dhe vetëdija kolektive të preken dhe marrin trajtën e një vizioni estetik të gjithëpranueshëm.
Nuk duhet të lejojmë dhe nuk mund të jemi bashkëfajtorë në shkatërrimin e identitetit në emër të gjoja zhvillimit modern, kur publikja shndërrohet në individualen, pasi ndryshe do ta humbim këtë qytet njëherë e përgjithmonë.
Nuk duam të jetojmë në një qytet të trishtuar, ku grimcat e betonit mbushin mushkëritë tona sikur të thithnim oksigjenin e prodhuar nga pisha a peme eukalipti, pa shërbime dhe struktura sociale, me një degradim dhe një korrupsion gjithnjë e më të dukshëm e që sa vjen e tolerohet, duke u shndërruar në një normalitet – anormal. Duhet të reagojnë, përpara një klase politike të paaftë dhe cinike. Pas viteve 90’, Tiranë duhet të kishte qenë krenari për të gjithë banorët e saj, anembanë, por, ende, nuk kemi parë një projekt të madh kulturor publik për qytetin, por çka na është ofruar është vetëm arkitekturë mizerabël dhe ndërtues spekulativë.

Marr shkas, për ta ilustruar me një shembull, sheshi (Opak) “Skënderbej” që duhet të paraqiste një vepër të madhe arkitekturore bashkëkohore, një himn të gëzueshëm të novacionit, modës dhe dizajnit, por, trishtueshëm, u realizua monumenti më i madh i mediokritetit, kryeneçësisë dhe abuzimit propagandistik të pa harmonizuar dhe pakoordinuar me tërësinë e së bukurës dhe funksionales. Dhe “Sheshi” u shndërrua me bekimin ose heshtjen e arkitektëve tanë të ndriçuar “progresistë” në “mrekullinë e tetë”.
Teatri, si bashkudhëtarë i projektit ndërtues trashëgimor, përbën, sot, barrikadën dhe qëndresën ndaj politikave publike të papërgjegjshme. Qytetarët nuk duhet të asistojnë në homazhet funebër të Teatrit. T’i themi ndal kësaj neverie! Është momenti të ulërasim sikur në pikturën e Eduard Munch, ndaj përçudnimit që pasqyrohet në marrëdhëniet e arkitekturës me shtetin, politikën, dhe shoqërinë.

Ata që firmosin sot shembjen e Teatrit do të jenë përgjegjës para shoqërisë dhe historisë. Kjo djallëzi dhe shurdhëri politike në fund, paguan një çmim. Teatri duhet mbrojtur me çdo kusht nga tentakulat e oligarkëve të betonit. T’i themi ndal fenomenologjisë së marrëzisë, dhe mos të merremi me pasojat kur, nesër, të jetë tepër vonë, por t’ua ndalim zellin për shkatërrim, tani!

Duke cituar Christine Boyer, historiane e urbanistikës, që në librin e saj “Qyteti si kujtesë kolektive” thotë: janë mijëra ngjarje, kode dhe emocione, të cilat kanë ngelur të pathëna për ndonjë arsye apo tjetër, janë pikërisht këto grimca që plotësojnë fotografinë dhe logjikën e qytetit, u bej apel qytetarëve të ndalojnë me çdo çmim që edhe teatri të pësojë të njëjtin fat si objekte të tjera që shënojnë kujtesën tonë kolektive. Nuk duhet lejuar kurrsesi që të na imponojnë dhe të luajnë me hapësirat tona të bashkëveprimit me qytetin.

Po t’i referohemi Manifestit FREESPACE, të dy kuratoreve, arkitekteve irlandeze, Yvonne Farrell dhe Shelley McNamara, që u bë dhe pikë referimi e edicionit të fundit të Bienales së Arkitekturës në Venecia, fokusi vihet pikërisht tek “dimensioni qytetar i arkitekturës, e quajtur politika e të gjitha arteve, gjuha shprehëse e qytetarëve dhe një instrument i vetëqeverisjes”, që i përgjigjet kërkesave cilësore nga ana e individëve dhe komunitetit, duke pranuar në këtë mënyrë arkitekturën si një instrument i shoqërisë për organizimin e hapësirës në të cilën jetohet. Teatri dhe territori i saj për qytetarët e Tiranës është në një farë mënyre “Akropoli” i Tiranës. Aty materializohet poezia dhe mendimi në nivelet më të larta. Ai është vendi qendror i Tiranës, shprehje e ndjenjës qytetare, vendi ku mund të ushtrohet arti tradicional dhe bashkëkohor. Teatrit plotëson nevojën e komunikimit midis njerëzve. Mbrojta e Teatrit bëhet element i harmonisë dhe frenues i apologjisë së parregullt të qendrës së Tiranës ku ndërtohen sipas parimit “çfarë të ha syri – ta kullëzon politika”.

Duke e mbyllur me shprehjen e historianit dhe kuratorit të artit: Jaroslav Andìl “artistët dhe intelektualët kanë qenë gjithnjë në ballë të proceseve demokratike, kundër ideologjive totalitare”, në ketë moment tejet kritik për të ardhmen e qytetit dhe demokracisë, Teatri bëhet më shumë se kurrë manifest në mbrojtje të qytetit dhe demokracisë.


Ky artikull u publikua më parë tek Gazeta Shqiptare.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>