Mbrëmë me një deklaratë të zyrës së shtypit të Shërbimit të Jashtëm Europian, u njoftuam se shefja e kësaj zyre Federica Mogherini, ka pasur një telefonatë me Presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi. Çështja kryesore e telefonatës kishte qënë rritja nga qeveria e Kosovës me 100 për qind e tarifës për mallrat që hyjnë nga Serbia dhe Bosnje-Hercegovina.
Sipas deklaratës së shpërndarë nga zyra e Mogerinit, mësohet se ajo i ka kërkuar Presidentit të Kosovës që të hiqet kjo tarifë doganore pasi dëmton procesin e integrimit të vendit.
Gjëja e parë që bëra sa lexova informacionin ishte të shihja kompetencat e Presidentit të Republikës së Kosovës, në fakt isha i sigurt që ai nuk ka kompetenca ekzekutive, por gjithsesi u sigurova edhe një herë. Pasi u sigurova edhe një herë, më lindi një pyetje shumë e thjeshtë, a mos vallë Mogherini, nuk është në dijeni të faktit se tarifat i ka vendosur qeveria dhe se Kryeministër është një tjetër person, që quhet Ramush Haradinaj?
Pyetja në fakt nuk donte shumë kohë që t’i jepej përgjigje—Mogherini e di shumë mirë se kush i ka vendosor tarifat dhe kush është kryeministër i Kosovës, ka një staf me qindra vetë që punojnë për të. Po atëherë cila është arsyeja që nuk komunikon me kryeministrin Haradinaj?
Hamendimet janë të shumta, por në hamendim e sipër më erdhi në mendje se Mogherini takohet shpesh me Thaçin në dialogun që Kosova ka me Serbinë dhe ku BE ka rolin e negociatorit. E deri tani këto dy shtete kanë bërë shumë marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre. Mirëpo, vetëm vendosja e tarifës doganore ndaj Serbisë nga ana e Kosovës — nuk besoj se Mogherini e ka marrë Thaçin për mallrat e Bosnje-Hercegovinës pasi për to as do ta lëvizte telefonin — është shkelja që i ka bërë këtyre marrëveshjeve.
Nga ana tjetër, së paku nuk kemi asnjë deklaratë të zyrës së shtypit të Mogherinit që thotë që ka telefonuar Vuçiçin për pengesat dhe mos zbatimin që Serbia i bën Kosovës.
Jo shumë kohë më parë, Kosova kërkoj anëtarësimin me të drejta të plota në INTERPOL, ishte Serbia me rolin e saj shumë aktiv kundër këtij pranimi që bëri që kjo të dështonte, por Mogerini nuk mori në telefon asnjë në Beograd. Pse vallë?