Tezat kryesore të Escobar mbi prioritetet e SHBA-ve në Ballkan

Nga Exit News
Tezat kryesore të Escobar mbi prioritetet e SHBA-ve në Ballkan

 

Zëvendësndihmës sekretari i Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore, Gabriel Escobar në intervistën e tij të parë, pas marrjes së detyrës, foli me Zërin e Amërikës për prioritetet e SHBA-ve në Ballkanin Perëndimor.

Escobar tha se rajoni ofronte mundësi të mëdha zhvillimi, por njerëzit largoheshin nga vendet dhe se ky po kthehej në një problem strategjik.

“Për fat të keq, shumë njerëz nuk shohin mundësi në vendet e tyre dhe po largohen. Me kalimin e kohës, ky largim do të bëhej një problem strategjik, jo vetëm për vendet e Ballkanit, por edhe për Evropën dhe Shtetet e Bashkuara,” u shpreh Escobar.

Ai tha se prioriteti kryesor i SHBA-ve mbetej integrimi i vendeve të rajonit në BE, si dhe krijimi i një zone të integruar ekonomike, pa elaboruar më tej.

“Nëse shikoni Ballkanin Perëndimor në tërësi, teorikisht mund të keni një grup ekonomik prej gjashtë vendesh, ndoshta edhe më shumë, prej rreth 20 milionë banorësh, me një prodhim të brendshëm bruto prej rreth 125 miliardë dollarësh dhe me ritme të rritjes ekonomike deri në 5 për qind,” shtoi ai.

I pyetur për situatën e krijuar në veri të Kosovës, për shkak të vendosjes së masave të reciprocitetit mbi targat, ai përsëriti thirrjen për përmbajtje dhe që palët “ta përqendrojnë vëmendjen dhe energjinë në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian”.

Escobar tha se SHBA-të nuk mendojnë se qasja ndaj dialogut Kosovë-Serbi nuk duhet të ndryshojë, por se BE-ja duhet të ofrojë shpresë për integrimin e afërtë të vendeve.

Ndërkohë, për Serbinë ai tha se ishte “motori ekonomik i rajonit dhe e hapur për integrim ekonomik me pjesën tjetër të rajonit”, duke shtuar se Vuçiç  e kishte siguruar se ishte i hapur që të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor të merrnin pjesë në nismën Ballkanin e Hapur.

Escobar tha se Serbia ishte e orientuar ndaj Perëndimit pasi ekonomia, investimet dhe diaspora e saj ishin të lidhura me Perëndimin dhe duhej ndihmuar të lëvizte në drejtimin që kishte zgjedhur. Kjo tezë bie ndesh me shqetësimin që ai ngriti për ndikimin e Rusisë në Ballkan dhe ndërhyrjen në punët e brendshme të vendeve të rajonit.

Ndërkohë, për konceptin e “Botës Serbe”, Escobar tha se nuk përbënte problem përsa kohë i referohej promovimit të kulturës etnike, por bëhej e rrezikshme në momentin që shndërrohej në plan strategjiko-ushtarak.

Ai konfirmoi se ShBA-të do të vazhdojnë të shpallin non-grata udhëheqësit apo ish-udhêheqësit e rajonit dhe iu shmang komentit se përse zyrarët amerikan kanë mbajtur kontakte me Milorad Dodik, pavarësisht sanksionimit të tij nga DASH në 2017. Ai vetëm tha se SHBA-të vazhdojnë të mbajnë një rol qëndror në Bosnje dhe me Dodik do të takohej nëse ky i fundit tërhiqej nga bojkoti i institucioneve qëndrore.

 

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>