Theresa May do të jetë kryeministrja e re e Mbretërisë së Bashkuar, pas fitimit të garës për udhëheqjen e Partisë Konservatore.
Fitorja e saj erdhi pas tërheqjes nga gara të rivales së saj për kreun e partisë Andrea Leadsom. Andrea Leadsom, ministrja aktuale e Energjisë deklaroi se po tërhiqej ngaqë nuk gëzonte mbështetje të mjaftueshme mes deputetëve për të garantuar një qeverisje të qëndrueshme.
60 vjeçarja Theresa May është prej 6 vjetësh Ministre e Brendshme. Ajo ishte ndër politikanet kryesore që drejtoi fushatën për qëndrimin e Britanisë në BE.
Sidoqoftë pas votimit, ajo deklaroi se “Brexit do të thotë Brexit” dhe nuk do të ketë asnjë përpjekje për të ndryshuar këtë votim. Ajo ka premtuar se detyra e saj është që ta kthejë Brexit në një sukses për popullin britanik.
Zonja May dhe Zonja Leadsom ishin dy kandidatet që do të konkuronin për kreun e konservatorëve në zgjedhjet brenda partisë, që ishin caktuar për në datën 9 shtator.
Sipas rregullave të Partisë Konservatore Britanike, zgjedhjet për kryen e partisë zhvillohen në këtë mënyrë: çdo kandidaturë duhet të propozohet nga të paktën 10 për qind e deputetëve të partisë. Nëse ofrohen më shumë se dy kandidatë ata i nënshtrohen një sërë raundesh votimi të grupit parlamentar për të përzgjedhur vetëm dy prej tyre—mbas çdo raundi eliminohet nga gara kandidati i renditur i fundit.
Fillimisht në garën për kreun e konservatorëve u përfshinë Theresa May, Andrea Leadsom, Michael Gove, Stephan Crabb dhe Liam Fox.
Në datën 5 korrik u zhvillua votimi i parë në grupin parlamentar konservator në të cilin Zonja May fitoi rreth 50 për qind të votave, kurse Liam Fox doli i fundit dhe u eliminua. Pas votimit u dorëhoq nga gara Stephan Crabb. Të dy Fox dhe Crabb shpallën menjëherë mbështetjen e tyre për kandidaturën e Zonjës May.
Në datën 7 korrik u zhvillua votimi i dytë mes tre kandidatëve të mbetur, në të cilin Michael Gove u rendit i fundit dhe u eleminua, duke zyrtarizuar kështu kandidaturën e Theresa May-it (e cila mori rreth 60 për qind të votave të deputetëve) dhe të Andrea Leadsom-it, e cila u rendit e dyta.
Tërheqja e Andrea Leadsom e bëri të panevojshëm votimin e anëtarësisë së partisë, duke i dhënë automatikisht Zonjës May kreun e Partisë Konservatore.
Sipas rregullave britanike, Zonja May do të marrë edhe postin e Kryeministres të Mbretërisë së Bashkuar, duke zëvendësuar kështu ish-shefin e saj në parti dhe qeveri, David Cameron.
Pavarësisht, këtij qëndrimi, zgjedhja e May-it është goditje e rëndë për mbështetësit e Brexit, jo vetëm brenda Partisë Konservatore por edhe në gjithë Britaninë të cilët nuk arritën të kapitalizonin suksesin e referendumit.
Mbi të gjitha, zgjedhja e saj është dështim i dy drejtuesve kryesore konservatorë të fushatës Brexit, Boris Johnson dhe Michael Gove. Fillimisht, mes të dyve kishte një aleancë për mbështetjen e kandidaturës së Zoti Johnson për kryetar partie dhe kryeminsitër. Por në një kthesë të papritur, të konsideruar nga shumë si tradhti, Zoti Gove tërhoqi mbështetjen për Zotin Johnson dhe deklaroi që do të kandidonte vetë. Si rezultat, Zoti Johnson vendosi të mos hynte në garë për të mos copëtuar votën e mbështetësve të Brexit.
Por, Zoti Gove nuk arriti të siguronte mbështetje mes deputetëve konservatorë dhe u eleminua nga gara. Si rezultat, shpresa e idhtarëve të Brexit u përqëndrua tek kandidatura e Andrea Leadsom, por tërheqja e saj vetëm katër ditë pasi siguroi kandidimin ishte një tjetër humbje për mbështetësit e Brexit.