Dje, Presidenti Donald Trump pushoi pa ceremoni Sekretarin e Shtetit Rex Tillerson. Në vend të tij ai emëroi drejtorin e CIA-s Mike Pompeo. Sipas disa mediave amerikane, Pompeo është zë i fortë kritik për marrëveshjet bërthamore me Iranin dhe do të mbështesë planin e Presidentit Trump për të rrëzuar marrëveshjen nukleare me Iranin.
Kjo do të hapë mundësinë për mbështetjen e ndryshimit të regjimit në Iran nga SHBA-të, plan ky i preferuar për një kohë të gjatë nga disa anëtarë të Partisë Republikane. Një element i rëndësishmë i ndryshimit të regjimit do të jenë edhe tre mijë muhaxhedinët (MEK), të njohuri si opozita iraniane, të strehuar në Shqipëri dhe të konsideruar si terroristë nga Irani.
Në 2017, Drejtori i FBI-së Louis J. Freeh, senatori John McCain, dhe senatorët Thom Tillis, Roy Blunt, dhe John Cornyn vizituan organizatën MEK në Shqipëri. Senatori amerikan McCain gjatë fjalimit të tij, nën sloganin “Irani i Lirë” deklaroi se “Një ditë Irani do të jetë i lirë. Një ditë e të gjithë ne do të mblidhemi në atë shesh.”
Maryam Rajavi, drejtuesja e MEK, organizatë e përshkruar si një “kult”, ka bërë thirrje në mënyrë të vazhdueshme për “sanksione gjithëpërfshirse” kundër regjimit Iranian:
Maryam Rajavi nënvizoi nevojën për të vendosur sanksione gjithëpërfshirëse në sektorin bankar dhe të naftës për regjimin Iranian; për të dëbuar IRGC (Ushtria për Revolucion Islamik) dhe milicitë e lidhura me të nga Siria, Iraku dhe vendet e tjera të rajonit; për të ndërmarrë hapa të menjëhershme për ndëshkimin e regjimit për përhapjen e ekzekutimeve politike — në veçanti për masakrën e 1998-ës kundër 30 mijë të burgosurve politik; për të ngritur një komision hetimor për hetimin e krimeve të rënda kundër njerëzimit me qëllimin e vetëm për të vënë përpara drejtësisë autorët; për njohjen e aspiratave të popullit të Iranit dhe të Rezistencës Iraniane për të përmbysur tiranin fetare në pushtet dhe për të vendosur lirinë dhe demokracinë, për të vendosur republikën e re bazuar në ndarjen e shtetit nga feja, vendosjen e barazisë gjinore dhe Iranin jo-bërthamor.
Prandaj, nuk përbën lajm fakti se në të njëjtën ditë që Tillerson — i cili gjithmonë e ka mbrojtur marrrëveshjen nukleare me Iranin — u pushua, Rajavi postoi një video në Facebook, ku deklaron se:
Tani është koha të zgjerojnë dhe të përhapim bastionet e rebelimit për liri. I bëj thirrje të gjithë bashkëkombësave kudo në vend të ngrihen dhe t’i bashkohen revoltës.