“Tirana që s’është më”, transformimi i Tiranës në 75 vjet

Nga Gazmend Bakiu
“Tirana që s’është më”, transformimi i Tiranës në 75 vjet

Çfarë transformimi i kanë bërë Tiranës në këto 75 vjet! Nuk them se kryeqyteti nuk duhej të ndryshonte. Sigurisht mund të përmirësohej e të zhvillohej normalisht.

Mirëpo, Tirana u zhbë sipas parimit enverist, që s’ka të sosur: Historia fillon me marrjen e pushtetit. U shkatërruan ndërtesa që nuk kthehen më! Injorantë, të çmendur dhe të babëzitur, njëlloj në kohë të ndryshme, i vunë dinamitin ose eskavatorin Tiranës së bukur.

Do t’ju tregoj këtu një pjesë të kryeqytetit që u rrafshua. Në qendër!

Pamja që shikoni është edituar si kartolinë nga firma “Guga & Shoku”. Ajo ka udhëtuar drejt Italisë më 16 Shtator 1931. Me shumë gjasë fotoja i takon vitit 1930. Kam vënë numra për ta bërë panoramën më lehtë të perceptueshme.

Le ta marrim me radhë:

1. Rruga e “Durrësit”. Quhej kështu qëkur “lindi” Tirana sepse tregonte se andej shkohej në Durrës. Së fundi është bërë rrugë me një kalim, veç për ardhur në Tiranë. Gjithsesi na shërben për t’u orientuar.

2. Rruga e “Bimbashit”. Që nga koha e socializmit quhet rruga “Kajo Karafili”. Por, kujdes! Sot, ajo nuk ka më dalje në rrugën e “Durrësit”, siç ka pasur në foton që shikoni.

3. Rruga e “Kavajës”. Nuk do të merremi me ndërtesat në të majtë të saj, sepse nuk dallohen mirë, sidoqë ndonjërën arrij ta identifikoj.

4. Hotel “Internacionali”. Është godina e vetme që ka mbetur nga gjithë ndërtesat që shikoni këtu; sot aty zhvillohen ceremoni mortore. Së bashku me rrugët që përmendëm, “Internacionali” është godinë e rëndësishme referimi, për të përcaktuar se ku ndodheshin ndërtesat që s’janë më.
5. Shtëpia e Hamdi Bimbashit. Pikërisht aty, misioni i Kryqit të Kuq Amerikan hapi një spital me 30 shtretër, cili funksionoi në vitet 1919-20. E Shembur.

6. Lulishtja e vogël ku më 21 shkurt 1932 u vendos busti i Llesh Topallajit, i vrarë në atentatin që iu bë Mbretit Zog, në Vjenë, më 1931. Ishte monumenti i parë që u vendos në Tiranë, të cilin sigurisht e shkulën. Më pas, aty u ndërtua “Gastronomi”, që u shemb edhe ai.

7. Gjimnazi (Liceu) i Tiranës. Siç mund ta vini re, ndërtesa ishte në formë U-je me oborr në Jug. Më parë kishte qenë kazerma e ushtrisë osmane, e cila u përshtat dhe u rregullua për shkollë. Shërbeu si gjimnaz që nga viti 1925 e deri në vitet ’40 të shekullit të kaluar. E shembën.

8. Bar-kafe “Kursal”. Rruga e “Durrësit” dhe e “Kavajës” “priteshin” në sheshin “Skënderbej” dhe mes tyre ishte më e bukura kafe e kryeqytetit, bar-kafe “Kursali”, plot histori, të cilës këtu i duket vetëm cepi i djathtë, por kemi mjaft foto të plota të “Kursalit”. Në kohën e socializmit ia ndërruan emrin; e quajtën “Rinia”. “Kursali” u prish në vitin 1980 së bashku me Bashkinë e vjetër, për të zgjeruar sheshin “Skëndërbej” në perëndim, ku edhe u vendos më 1988 shtatorja e diktatorit. E shembën “Kursalin” dhe Bashkinë me din amit!

9. Hotel “Bristol”. Në nëntorin e vitit 1944, në Tiranë u pushkatuan pa gjyq 37 intelektualë, për të mbjellur terror mbi popullsinë nga pushtetmarrësit “çlirimtarë”. Në bodrumet e hotel “Bristolit” u pushkatuan disa prej tyre. I shembur.

10. Hotel “Ballkan”. I shembur.

Të gjitha ndërtesat e tjera që dalloni në foto janë shembur! Kjo ishte vetëm një pjesë e Tiranës, që s’është më!

Artikull i shkruar nga Gazmend Bakiu, botuar në revistën Monitor.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>