Tiranës prej 30 viteve i mungojnë bibliotekat e reja publike

Tiranës prej 30 viteve i mungojnë bibliotekat e reja publike

Tirana ka shumëfishuar popullatën dhe ndërtimet shumëkatëshe, por në 3 dekadat e fundit nuk është ndërtuar asnjë bibliotekë e re për qytetin.

Nga 8 biblioteka publike, ose sic thirren biblioteka lagjeje, 4 prej tyre janë rikonstruktuar nga Bashkia në tre vitet e fundit, kurse 3 të tjera janë në proces rikonstruktimi.
Jo çdo njësi administrative, brenda territorit të Bashkisë ka bibliotekën e vet.

Përshembull, në 3 njësi administrative kryesore të Tiranës, (njësitë nr. 1, 3 dhe 5), ku jetojnë rreth 182 mijë banorë, nuk ka asnjë bibliotekë publike!

Nuk pasurohet fondi me tituj të rinj dhe tërheqës

Qendra studentore ABC Tirana Club ka realizuar së fundmi një monitorim dhe shqyrtim analitik mbi performancën e bibliotekave në kryeqytet, ku ka identifikuar disa problematika, të tilla si, mungon komunikimi dhe informimi online; nuk ka pasurim sistematik të fondit të botimeve me tituj të rinj dhe tërheqës për lexuesit; nuk ka skedarë fizikë ose virtualë që orientojnë dhe informojnë për fondin në dispozicion; pajisjet elektronike në shërbim të qytetarëve mungojnë ose janë jashtë funksionit; sistemet e ngrohje-ftohjes, ndriçimi, apo inventari në sallat e leximit shpesh nuk krijon kushte të rehatshme për frekuentuesit; duhet shtuar personel i kualifikuar, si dhe staf mbështetës për procesin e mirëmbajtjes etj.

Sipërfaqet janë të limituara, mungojnë shërbimet virtuale

Bashkia e Tiranës në periudhën 2017 – 2019 ka investuar rreth 188 mijë euro për rikonstruksionin e godinave të 7 bibliotekave.

Por në raportin analitik të ABC Tirana Club, thuhet se “investimi për modernizimin e tyre është i pamjaftueshëm dhe se sipërfaqet e bibliotekave janë të limituara, rreth 65 – 90 m2, sa madhësia e një apartamenti banimi”.

Pa shërbim dhe ofertë virtuale të fondit, ato duken akoma më të vogla përballë kërkesave gjithnjë në rritje nga qytetarët, sidomos nxënësit dhe studentët, shprehen autorët e hulumtimit, të cilët kanë bindje se kryqyteti 100 vjeçar i Shqipërisë ka nevojë për biblioteka të reja.

Vëmendje, përgjegjësi dhe fonde shtesë për bibliotekat

Administrata e Bashkisë së Tiranës, si dhe Këshilli Bashkiak duhet të shtojë vëmendjen, përgjegjësinë dhe fondet për bibliotekat e lagjeve.

Ato ekzistueset duhet t’i përgjigjen kërkesave të qytetarëve, t’i përgjigjen trendit të zhvillimit teknologjik dhe përhapjes në shkallë të gjerë të internetit, të ofrojnë sa më shumë shërbime virtuale, shprehen aktivistë të grupimit studentor ABC Tirana Club.

Forume diskutimi me grupet e interesit, si dhe një fushatë informimi dhe ndërgjegjësimi do të realizohen në kuadër të projektit studentor titulluar “Biblioteka e lagjes sime”, që mbështetet nga Lëviz Albania me fonde të Agjencisë Zviceriane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, SDC.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>