Prokuroria e Lezhës ka kërkuar dënimin me 3 vite burg për ish-kryebashkiakun e Lezhës, Fran Frrokaj, për çështjen e tjetërsimit të pronave në Shëngjin tek zona e Ranës së Hedhur.
Për 19 të akuzuar prokuroria ka kërkuar 43 vite burg.
Prokuroria ka kërkuar 2 vite burg për ish-nënkryetarin Enver Hafizi dhe 4 vite burg për ish-kryetarin e qarkut, Gjok Ndoka.
Ata akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë shpërdoruar detyrën, kanë falsifikuar dokumentet për të tjetërsuar dhe përvetësuar në mënyrë të paligjshme 285 mijë metër katrorë tokë.
Hetimet për këtë rast nisën në vitin 2017, pas padisë së një personi i cili pretendon se prona e tij është regjistruar në emër të personave të tjerë.
Prokuroria e Lezhës e sekuestroi menjëherë pronën dhe nisi hetimet.