Drejtoresha e Epidemiologjisë në ISHP Eugena Tomini deklaroi, të hënën, se pritet që në javët në vijim të ketë rritje të numrit të të infektuarve me koronavirus.
Kjo sipas saj, për shkak të festimeve dhe grumbullimeve të qytetarëve në zona të caktuara të vendit.
Në një deklaratë për A2, Tomini u shpreh:
“Pavarësisht rekomandimeve të strukturave shëndetësore, grumbullime ka pasur dhe parashikimet shohin një trend në rritje të rasteve me COVID. Sidoqoftë, mbetemi në kuadrin e parashikimeve, për të vlerësuar situatë në mënyrë dinamike.”
Përfaqësuesja e komitetit të ekspertëve iu bëri thirrje të gjithë qytetarëve të respektojnë masat mbrojtëse.
Të martën, më 5 janar mbarojnë kufizimet e vendosura për periudhën e festave, ku lejohej lëvizja deri në orën 20:30. Tani qytetarët do të mund të lëvizin deri në orën 22:00.
Nga ora 22:00 deri në 06:00 do të ndalohet qarkullimi dhe baret dhe restorantet do të jenë të mbyllura.
Kopshtet dhe çerdhet i rikthehen aktivitetit të tyre, ndërsa universitetet rifillojnë mësimin online.