Një 25-vjeçare nga Lushnja humbi jetën dje në kanionet e Holtës në Gramsh pasi u rrëmbye nga ujërat.
Trupi i vajzës u nxorr nga kanionet pas dy orë kërkimesh prej polumbarëve të RENEA-s.
Ajo po e vizitonte Holtën bashkë me familjen, ndërsa kanioni ishte mbipopulluar me rreth 100 turistë të dërguar me guida turistike.
Kjo është ajo që ndodhi të dielën dhe që duhet t’i ndërgjegjësojë qytetarët se natyra është e rrezikshme dhe jo vetëm.
Qytetarët duhen ndërgjegjësuar gjithashtu se për rreziqe të tilla, institucionet duhet të marrin masa për t’i kontrolluar guidat turistike dhe për t’i sinjalizuar vendet.
Kanionet janë vende tejet të veçanta për t’u eksploruar pasi ofrojnë një larmi pamjesh spektakolare të natyrës.
Mirëpo krahas kësaj ato ofrojnë edhe shumë rreziqe, të cilat nuk duhen nënvlerësuar. Për këtë është tejet e këshillueshme që ato të vizitohen me udhërrëfyes të specializuar me pajime të duhura dhe profesionistë.
Zonat ku shtrihen kanionet kryesisht nuk mbulohen me valë të telefonisë, gjë që për këdo duhet t’i shtojë përgjegjësitë për t’u parapërgatitur, sepse të vizitosh kanione nuk është kurrësesi si një shtëtitje e rëndomtë në natyrë.
Kanionet variojnë për nga karakteristikat gjeologjike, por në tërësi në të gjitha ato që kanë rrjedhë lumenjsh, vizitat kushtëzohen nga moti.
Gjithmonë përpara dhe gjatë vizitës në kanion duhen parë kushtet atmosferike, jo vetëm të zonës aty, por dhe të zonës përreth pasi shirat lokale në një zonë disi më larg mund të ushqejnë përrenj që derdhen në kanion duke bërë që ujërat të fryhen shumë dhe vizita me ecje të bëhet jashtëmase e rrëzikshme.
Atmosfera më e lagësht dhe më e ftohtë, shton rreziqet për hipotermi, gjë që mund të shkaktojë dobësi dhe këputje.
Gjithashtu prurjet e shumta mund të marrin me vete dhera, mund të shkëpusin gurë apo të shkaktojnë rrëshqitje, gjë që i shton edhe më tej rreziqet.
Për të tilla arsye, ata që praktikojnë rafting marrin masa paraprake si: veshje speciale, kokore, jelekë shpëtimi apo dhe bilbila.
Por në rastin e së dielës, turistët ishin duke e eksploruar kanionin me ecje, çka do të ishte dashur që të ishte treguar jashtë mase kujdes, sidomos për numrin e njerëzve që ishin aty.
Raportime të ndryshme flasin për grupe të ndryshme nga 3-4 vetë, në 33 dhe deri në 105 persona.
Por edhe pse një ditë më parë kishte rënë shi dhe koha kishte qenë e çrregullt, guidat nuk u anuluan.
Kjo gjë dhe numri jashtëzakonisht i madh i turistëve tregon për papërgjegjshmërinë e guidave në Holtë, të cilët minimalisht duhet të paralajmërojnë, sinjalizojnë me tabela dhe të kenë së paku litarë e radio marrëse-dhënëse me vete.
Mbipopullimi i shtigjeve anësore të kanioneve e kufizon lëvizjen dhe në rastet e fryrjes së lumit e bën të domosdoshme pasjen e një litari për të kaluar në anën tjetër.
Komunikimi dhe lajmërimi me të shpejtë i autoriteteve në rastet e rrezikut mund të shpëtojë jetë njerëzish dhe fatkeqësisht mungesa e valëve në Holtë të dielën bëri që autoritetet të njoftoheshin vonë.
Por rasti tragjik i së dielës fatkeqësisht nuk është i fundit.
Kanione të ndryshme të vendit kanë shënuar ngjarje të ngjashme, ku më i fundit pati qenë vitin që shkoi në kanionet e Erzenit në Tiranë.
Rritja e kureshtjes për ta eksploruar natyrën ka bërë që vitet e fundit të ketë një bum të turizmit vendas.
Ministria e Turizmit është munduar ta paraprijë këtë me licencimin e guidave, por shumica e guidave që bëjnë thirrje në rrjetet sociale janë të palicencuara dhe nuk i japin llogari askujt.
Promovimi i vazhdueshëm me foto spektakolare ka shtyrë edhe më tepër dashamirësit e natyrës që t’i eksplorojnë vende si kanioni i Holtës.
Ministria e Turizmit duhet t’i paraprijë edhe këtij bumi duke vepruar për ta siguruar tregun që këto ngjarje të mos ndodhin.
Sa për rastet kur vizitat janë me iniciativa individuale, të ketë sinjalizime – jo thjesht me një bojë spraj në gur – në mënyrë që këto vendeve kaq të rrezikshme të mos marrin jetë njerëzish.
Ministria së paku duhet të ndërgjegjësojë, kualifikojë, licencojë vazhdimisht udhërrëfyes dhe të ndalojë ata të cilët janë të pakualifikuar që të marrin përsipër drejtimin e dhjetëra vetëve në destinacione të tilla.