Tre vite me moratorium, por pyjet vazhdojnë të zhduken

Nga Erblin Vukaj
Tre vite me moratorium, por pyjet vazhdojnë të zhduken

Edhe pse ka një moratorium që prej vitit 2016, Shqipëria vazhdon të humbasë pyje ndërsa fondet për pyllëzimin e sipërfaqeve të gjelbra mbeten minimale.

Gjatë vitit 2018 vendit iu zhdukën edhe 12 hektarë pyje duke mbajtur të njëjtin trend negativ me vitet e shkuara.

Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT), prej vitit 2016 vendi ka humbur 378 hektarë pyje.

Nga 1,052,237 hektarë që ishte sipërfaqja pyjore në vitin 2016, në vitin 2018 kjo sipërfaqe u tkurr në 1,051,859 hektarë.

Shkak për këtë tkurrje të vazhdueshme të pyjeve mbeten shfrytëzimi pa kriter dhe zjarret.

Exit.al vëren se bashkë me tkurrjen e sipërfaqes pyjore janë tkurrur edhe fondet.

Në vitin 2014, sipas INSTAT u investuan 2,8 milionë euro për pyllëzim, ndërsa në vitet pasardhëse shifrat u minimizuan drastikisht duke shkuar në zero.

Në vitet 2016 dhe 2017 nuk u shpenzua asnjë lek për pyllëzim ndërsa në vitin 2018 qeveria caktoi një fond prej vetëm 220 mijë eurosh (27.2 milionë lekë).

Moratoriumi për pyjet u vendos në vitin 2016 me ligj. Moratorium vendosi që për 10 vite të kufizohej shfrytëzimi i sipërfaqeve pyjore kjo me qëllimin që të nxitej ripërtëritja.

Mirëpo pasi vendosi për moratoriumin, qeveria ia kaloi pyjet dhe kullotat si pronë bashkive, duke ia ngarkuar kështu edhe përgjegjësitë e ruajtjes së sipërfaqeve të gjelbra autoriteteve lokale.

Përveç kësaj, ligji i vitit 2016 ka lënë shteg për interpretime pasi në Nenin 3 lejohet “shfrytëzimi për lëndë drusore për plotësimin e nevojave të banorëve për dru zjarri”.

Sipas të dhënave të INSTAT për shfrytëzimin e pyjeve, mesatarja e shfrytëzimit të pyjeve për dru zjarri në shkallë vendi për tre vitet e fundit ka qenë 789,130 metër kub.

Edhe pse nën moratorium, viti 2017 shënoi shfrytëzimin më të madh të pyjeve për dru zjarri krahasuar me të gjitha të dhënat që shërben INSTAT. 856,911 metra kub dru zjarri nuk është raportuar ndonjëherë që prej vitit 2003.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>