Tre ditë pas përfundimit të zgjedhjeve vendore Komisioni Qëndror nuk ka publikuar ende një të dhënë përfundimtare se sa ishte pjesëmarrja dhe pavlefshmëria e votave në rang vendi.
Opozita pretendon se 85% e zgjedhësve bojkotuan dhe se shifrat po manipulohen nga KQZ për t’i shërbyer qeverisë, e cila ka deklaruar se është votuar po aq sa në zgjedhjet e vitit 2017 .
Megjithatë mbrëmjen e së martës KQZ zbardhi tabelat e rezultateve, prej së cilave, ndryshe nga herët e shkuara, në këto zgjedhje tregon vetëm votat e vlefshme.
Nga të dhënat e mbledhura prej këtyre tabelave, rezulton se numri total i votave të vlefshme të ketë qenë 765,825 prej të cilave 727,251 (94.9%) kanë shkuar për Partinë Socialiste. Socialistët u votuan 37,499 më pak se në vitin 2017 (kishin 764,750 vota).
KQZ pas zgjedhjeve, publikoi të dhënat paraprake mbi numrin e votuesve. Në të thuhej se numri i përgjithshëm kishte qenë 771,863 votues dhe përqindja e pjesëmarrjes 24.12%.
Mirëpo këto të dhëna ishin keqinformuese. Si fillim nga mbledhja e vetë shifrave të raportuara, numri nuk duhej të ishte 771,863 por 777,366 votues dhe përqindja nuk duhej të ishte 24.12 por 21.9%.
Askush nuk mori përgjegjësinë për këtë keqinformim, madje edhe kur mediat nisën të raportonin duke iu referuar këtyre të dhënave se në shumë bashki po rezultonin më shumë vota se sa votues.
Por sa ishte numri i përgjithshëm i pjesëmarrjes dhe i votave të pavlefshme? Në mungesë të një transparence në këtë pikë nuk na mbetet veçse të hamendësojmë.
Marrim në konsideratë 5 zgjedhje të dhënat e të cilave gjenden lehtësisht online (2017, 2015, 2013, 2009, 2005) dhe nxjerrim prej tyre një mesatare të votave të pavlefshme (1,98%; 2,39%; 1,39%; 2.99%; 1.6%) që është 2.07%.
Duke ditur votat e vlefshme të zgjedhjeve të 30 qershorit 2019 (765,825) mund të hamendësojmë se sa duhej të ishte numri i votave të pavlefshme sipas trendit ku të gjitha palët merrnin pjesë në zgjedhje.
Sipas përllogaritjeve (0.0207 x 765,825/ 0.9793) votat e pavlefshme duhet të ishin rreth 16,187 nëse zgjedhjet e 30 qershorit do të zhvilloheshin edhe me opozitën. Ndërsa numri përgjithshëm i zgjedhësve duhet t’i kalojë 782,012 (765,825+16,187) mbi 22% (765,825/3,536,016), për
Por pse kanë rëndësi votat e pavlefshme për zgjedhjet e 30 qershorit?
Pavlefshmëria e votës në një proces zgjedhor ku në 50% të rasteve kishte vetëm një kandidat mund të tregojë se PS u refuzua edhe nga ata të cilët i detyroi të dilnin në votime.
Nëse KQZ do të nxjerrë në fund një shifër më të lartë se sa trendi mesatar (16,187 vota) mund të konfirmohet se socialistët u refuzuan edhe nga elektorati i tyre.