Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të mërkurën se do t’i kërkojë Gjykatës së Lartë ta ndalojë procesin e numërimit të votave me postë në shtetet e Miçiganit, Uiskonsit dhe Pensilvanisë.
Nuk dihet ende se mbi cilat argumente ligjore do të bazohet kjo kërkesë, por Trump tha se dyshon se mund të ketë manipulime të votave me postë:
“Jemi kundër metodës që po përdoret për numërimin e votave. Duam që ligji të zbatohet, që procesi i votimit të ndalojë dhe nuk duam që me zgjatjen e procesit t’i shtojnë votat me postë.”
Më tej, në daljen e tij të parë pas votimeve, Trump tha se po bëhet gati për festimet e fitores:
“Po bëhemi gati për festimin e madh. Rezultatet e sotme kanë qenë fenomenale, bëhemi gati të dalim jashtë e të festojmë këtë sukses me numra rekord, fituam shtete që nuk i prisnim, i fituam me diferencë të madhe.”
Presidenti tha se republikanët kanë fituar në disa prej shteteve të lëkundura si Karolinën e Veriut, Xhorxhën, Floridën.
Po ashtu Trump shpalli fitoren dhe në disa prej shteteve ku nuk e priste të fitonte:
“Kemi fituar Pensilvaninë me diferencë shumë të madhe. Kemi fituar Miçiganin, kam parë numrat dhe jam habitur, po fitojmë Uinskonsin..”
Ndërkohë sipas mediave amerikane deri tani janë numëruar 82 përqind e votave kombëtare dhe sipas llogaritjeve për votat e Kolegjit Elektoral Biden ka fituar 225 vota dhe Trump 213.