Trump: Këto zgjedhje nuk kanë mbaruar ende, vazhdon beteja ligjore

Nga Exit News
Trump: Këto zgjedhje nuk kanë mbaruar ende, vazhdon beteja ligjore

Zyra për shtyp e fushatës së presidentit Trump ka lëshuar një deklaratë për shtyp menjëherë pasi disa prej mediave kryesore shpallën fitoren e kandidatit demokrat Joe Biden.

“Ne të gjithë e dimë pse Joe Biden po nxiton të paraqitet në mënyrë të gabuar si fitues dhe pse aleatët e tij të medias po përpiqen kaq shumë ta ndihmojnë atë: ata nuk duan që e vërteta të zbulohet” shkruhet në deklaratë.

“Fakti i thjeshtë është që këto zgjedhje nuk kanë mbaruar ende,” vazhdon Trumpi, duke shkruar se numërimet e votave nuk janë vërtetuar ende nga zyrtarët e zgjedhjeve dhe mbeten thjeshtë parashikime nga mediat.

Trumpi premton se “duke filluar nga e hëna, ekipi do të fillojë ndjekjen e çështjes në gjykatë për të siguruar që ligjet zgjedhore janë respektuar plotësisht”.

Trump pretendon, pa publikuar ndonjë provë, se ekipi i Bidenit “dëshiron që fletët e votimit të numërohen edhe nëse ato janë të paligjshme, të manipuluare ose të hedhura nga votues të vdekur”.

Ai premton të vazhdojnë luftën për numërim të ndershëm të votave:

“Pra, çfarë po fsheh Biden? Unë nuk do të pushoj derisa Populli Amerikan të ketë numërimin e ndershëm të votave që ai meriton dhe që demokracia kërkon”.

Vëzhguesit e zgjedhjeve dhe zyrtarët që mbikëqyrin numërimin e votave kanë thënë vazhdimisht se nuk janë parë parregullsi të përhapura gjatë procesit.

Sipas BBC-së, Trump ka qenë duke luajtur golf në vendpushimin e tij në Virxhinia, kur u njoh me lajmin se Joe Biden parashikohet të ketë fituar presidencën.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>