Tunizia në kaos pas protestave për trajtimin e pandemisë, presidenti shkarkon kryeministrin

Nga Exit News
Tunizia në kaos pas protestave për trajtimin e pandemisë, presidenti shkarkon kryeministrin

Presidenti i Tunizisë ka shkarkuar kryeministrin dhe pezulloi parlamentin, pas protestave masive të dhunshme në të gjithë vendin që nisën të dielën.

Pakënaqësitë nga rritja e infektimeve dhe viktimave nga pandemia COVID-19 iu shtuan pakënaqësive mbi krizën ekonomike dhe shoqërore që po kalon vendi dhe kjo çoi në shpërthimin e protestave.

Presidenti Kais Saied, i cili u zgjodh në 2019, njoftoi se po merrte në dorë qeverisjen e vendit.

Mbështetësit e tij shpërthyen në festë, por kundërshtarët në parlament menjëherë e akuzuan atë për organizimin e një grushti shteti. Përplasjet midis grupeve rivale vazhduan të hënën.

Vdekjet nga COVID-19 kapën shifra rekord për vendin duke kaluar 300 brenda 24 orëve. Tunizia ka një nga nivelet më të larta të vdekjes për frymë në botë nga pandemia.

Vaksinimet kanë qenë të ngadalta pasi vetëm 7% e popullsisë prej 11.7 milionë banorësh janë vaksinuar plotësisht.

Qeveria u përpoq të shpejtojë vaksinimin duke e hapur atë për të gjithë ata mbi 18 vjeç gjatë festës së Kurban Bajramit. Sidoqoftë, kjo përpjekje u kthye në kaos nga dyndja e njerëzve, mungesa të furnizimeve dhe incidente dhune.

Kryeministri shkarkoi ministrin e shëndetësisë – një aleat i presidentit – duke bërë që Saied të udhëzojë ushtrinë të marrë përsipër menaxhimin e krizës së koronavirusit.

Saied ka pasur përplasje të vazhdueshme me kryeministrin Hichem Mechichi, i cili ka mbështetjen e partisë më të madhe në parlament, Ennahda.

Në Tunizi, si presidenti ashtu edhe parlamenti zgjidhen me votën e popullit.

Sipas kushtetutës, presidenti mbikëqyr vetëm çështjet ushtarake dhe të jashtme.

Saied ka thënë se ai tani do të qeverisë së bashku me një kryeministër të ri, ndërsa parlamenti do të pezullojë punimet për 30 ditë.

Këtë veprim ai e justifikoi duke cituar një nen të kushtetutës që e lejon të pezullojë parlamentin nëse është në “rrezik të pashmangshëm”.

Por opozita e kundërshton këtë vendim si anti-kushtetues. Kushtetuta e Tunizisë e vitit 2014 kërkon që të ngrihet një gjykatë speciale për të vendosur mosmarrëveshjet si kjo, por ende ajo nuk është themeluar.

Si partia më e madhe në parlament, Ennahda ka të drejtë të emërojë Kryeministrin.

Një seli e saj u dogj nga mbështetës të presidentit. Ennahda denoncoi sulmet ndaj zyrave të saj, duke fajësuar “bandat kriminale” që po përpiqeshin të “mbjellin kaos dhe shkatërrim”.

Kryetari i Parlamentit akuzoi presidentin për krijimin e “një grushti shteti kundër revolucionit dhe kushtetutës” dhe i bëri thirrje popullit tunizian t’i mbrojë ato të dyja.

Dy parti të tjera të mëdha mbështetën akuzat ndaj presidentit për grusht shteti.

Por menaxhimi i pandemisë është vetëm një faktor për trazirat. Tunizia ka pasur nëntë qeveri që nga revolucioni i vitit 2011.

Revolucioni i Tunizisë në 2011 shpesh konsiderohet si suksesi i vetëm i revoltave të Pranverës Arabe në të gjithë rajonin, por nuk ka çuar në stabilitet ekonomik ose politik.

Problemet e thella të papunësisë dhe infrastruktura shtetërore e shkatërruar pas revolucionit nuk janë zgjidhur ende.

Tunizia tani ka deficite buxhetore të larta që mund të kërkojnë një hua të re nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Por kjo mund të dëmtojë tunizianët me humbjen e vendeve të punës dhe uljen e subvencioneve për mallrat.

Një protestuese i tha agjencisë së lajmeve AFP se presidenti kishte “treguar veten si një burrë shteti i vërtetë”, por një tjetër tha: “Këta budallenj po festojnë lindjen e një diktatori të ri”.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>