U lëndua në Valbonë, nis riaftësimin alpinistja e parë shqiptare që ngjiti Everestin

Nga Erblin Vukaj
U lëndua në Valbonë, nis riaftësimin alpinistja e parë shqiptare që ngjiti Everestin

Uta Ibrahimi, e para alpiniste shqiptare që ngjiti Everestin, ka nisur fazën e riaftësimit duke iu rikthyer edhe shëtitjeve në natyrë.

Përmes disa postimesh në rrjetet sociale, 36-vjeçarja nga Gjilani, ka treguar se për çështje javësh mund të vazhdojë e të lëvizë lehtësisht.

Uta u lëndua më 27 gusht teksa po zbriste pas një ngjitje në majën e Rrogamit (2,478 m) në Luginën e Valbonës.

Në zbritje një rrëshqitje gurësh të rëndë i zunë këmbën e djathtë duke i shkaktuar dëmtime të nyjes, ligamenteve dhe fraktura të të katër gishtërinjve.

Gjendja e saj ishte e rëndë, pasi u desht më shumë se 1 orë për ta kryer zbritjen me litar e shoqëruar nga 8 persona që iu gjendën në ndihmë.

Shtatë ditë pas lëndimit ajo u operua në një spital të Prishtinës. Ndërhyrja duket se ka shkuar me sukses pasi alpinistja e njohur ka postuar foto duke shëtitur në natyrë me familjen.

Faceboook/Uta Ibrahimi duke shëtitur me familjarët pas lëndimit të këmbës.

Në vitin 2017 Uta Ibrahimi ngjiti majën e Everestit në Himalaje, duke u bërë e para vajzë shqiptare që arrinte lartësinë 8,848 metra.

Në më pak se 16 muaj ajo vazhdoi me sukses t’i ngjitej edhe katër majave të tjera, Manaslu (8,163m), Lhotse (8,563m), Cho Oyu (8,201m) dhe Gashurburum (8,058m).

Ajo është tashmë e vetmja nga Ballkani që ka ngjitur më tepër maja mbi 8,000m në Himalaje.

Synimi ishte që të arrinte t’i ngjiste të 14 majat e mbi 8,000 metra lartësi që kanë Himalajet, mirëpo gjithçka është vënë seriozisht në diskutim pas lëndimit.

Uta Ibrahimi iu përkushtua plotësisht pasioneve të saj për natyrën, malet dhe aktivizmit për të drejtat e njeriut, pasi la punën në fushën e marketingut.

Facebook/Uta Ibrahimi në disa ngjitje të kryera vitet e fundit.

E diplomuar për ekonomi, ajo kishte punuar për 12 vite në këtë fushë, por me aktivizmin për të drejtat e njeriut dhe sidomos me arritjet e larta sportive në alpinizëm, ajo u kthye në frymëzim për shumë vajza të Kosovës dhe Shqipërisë.

Prej vitit 2015 ajo ka ngjitur Malin e Bardhë në Francë (4,880m), Musalan në Bullgari (2,925m), Olimpin në Greqi (2,918m), Jezercën në Shqipëri (2,694m), Triglavën në Slloveni (2,998m), majën e Titos në Maqedoni (2,745m), Gjeravicën në Kosovë (2,656m). Tre maja në Turqi Hasan (3,200m), Emler (3,700m) dhe Ercyes (3,916m). Pas të tjera ngjitjesh në Islandë e Zvicër në vitin 2017 dhe 2018 ajo arriti me sukses të ngjiste majat në Himalajë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>