Me propozim të Administratës Trump, Kongresi Amerikan pritet të vendosë për të mbyllur Misionin e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) në Tiranë, duke i dhënë fund edhe programeve të saj në Shqipëri, pas 28 vjet aktivitet dhe mbi 500 milionë dollarë në ndihma dhe asistencë teknike për Shqipërinë.
Në buxhetin e Agjencisë për vitin e ardhshëm fiskal, i cili fillon më 1 tetor 2020, nuk është përfshirë financimi për zyrën në Tiranë të USAID, çfarë zyrtarizon mbylljen e kwsaj zyre.
Buxheti i paraqitur nga Presidenti Trump është duke u diskutuar në Kongres dhe USAID nuk ka përfshirë financimin për zyrat në Tiranë dhe në Indi dhe ka mbrojtur mbylljen e këtyre dy zyrave para Komititetit të Buxhetit të Kongresit pa hasur asnjë kundërshti.
Tashmë çdo gjë është thjesht formalitet dhe, me miratimin e buxhetit nga Kongresi, do të miratohet automatikisht mbyllja e zyrës së USAID në Tiranë.
Administratori i USAID, Mark Green, sikurse kishte deklaruar më parë në Tiranë, ka premtuar para Kongresit se pavarësisht mbylljes së misionit, Agjencia do të mbështesë krijimin e një akademie për transparencën.
Në informimin e tij ndaj Kongresit, Green u shpreh se “Akademia e Transparencës SHBA-Shqipëri do të ndihmojë [Shqipërinë] të ndeshet me korrupsionin, nxisë një kulturë transparence dhe llogaridhënie në qeveri dhe sigurojë drejtësi për qytetarët.”
Green theksoi se USAID do të vazhdojë të ofrojë asistencë teknike për qeverinë shqiptare për ta ndihmuar në planfikimin dhe zbatimin e zgjidhjeve për problemet e zhvillimit të Shqipërisë.
Mbyllja e zyrës së USAID në Shqipëri u propozua në vitin 2018 për t’u zbatuar në vitin 2019, por vendimi u shty.
Fakti është që askush nuk loboi për mbajtjen hapur të zyrës. Ish-Ambasdori Donald Lu ishte mbështetës për mbylljen e misionit, që ai e paraqiti si shenjë e përparimit të Shqipërisë. Qeveria shqiptare gjithashtu nuk loboi asnjëherë për mbajtjen hapur të zyrës.
Edhe në vizitën në Tiranë para disa muajsh të Administratorit Green, Kryeministri kërkoi vetëm që një propozim i stafit të misionit të USAID-it Tiranë për një program në mbështetje të Shkollës së Administratës Publike, të zëvendësohet me financimin për një akademi transparence.