Ushtarët amerikanë, të ngarkuar me ruajtjen e kodeve të armëve bërthamore në Evropë, kanë rrjedhur aksidentalisht të dhëna të ndjeshme përmes përdorimit të aplikacioneve.
Lajmi u zbulua nga platforma bellingcat, e cila kërkoi online terma të lidhur me armët bërthamore.
Autorit të artikullit, Foeke Postma-s iu desh thjesht të shtypte “PAS”, “WS3” dhe “vault” në Google së bashku, për t’u drejtuar direkt në platformat flashcard si Chegg, Quizlet dhe Cram.
Për të thjeshtuar procesin e memorizimit të protokolleve të sigurisë, ushtarët kanë përdorur aplikacione “flashcard” për të mbajtur shënime, të cilat janë të dukshme për publikun.
“Ndërsa prania e armëve bërthamore të SH.B.A.-së në Evropë është detajuar prej kohësh nga dokumente të ndryshme të zbuluara, fotografi dhe deklarata nga zyrtarë në pension, vendndodhjet e tyre specifike janë zyrtarisht ende një sekret me qeveritë që nuk konfirmojnë ose mohojnë praninë e tyre,” shkruhet në raportin e bellingcat për këtë çështje.
Të dhënat e rrjedhura nga ushtarët zbulojnë jo vetëm bazat, por edhe identifikojnë, në mënyrë shumë të detajuar, vendndodhjet e sakta të xhepave “të nxehtë”, term që me gjasë i referohet armëve bërthamore.
Po ashtu janë zbuluar të dhëna si pozicionet e kamerave, frekuenca e patrullimeve, kodet e fshehta që sinjalizojnë kur një roje kërcënohet dhe elementët unik identifikues që një distinktiv i zonës duhet të ketë.
Aplikacionet flashcard janë mjete popullore të memorizimit digjital, që tregojnë nga njëra anë pyetjen dhe nga ana tjetër përgjigjen.
Ekspertët janë shprehur se rrjedhjet përbëjnë shkelje serioze të protokolleve të sigurisë dhe janë shumë të rrezikshme.
Pas pubolikimit të artikullit, të dhënat e identifikuara ishin zhdukur nga aplikacionet.