Vaksina kundër COVID-19 e kompanisë AstraZeneca është efikase edhe ndaj variantit britanik të koronavirusit, njoftoi universiteti i Oksfordit të premten.
Sipas studiuesve që kryen testimin e vaksinës, ajo rezulton 84% efikase për variantin e parë të koronavirusit dhe 75% për variantin britanik.
Varianti i ri, i identifikuar për herë të parë në Anglinë jugore, është më lehtë i transmetueshëm, duke bërë që shumë vende të kufizojnë udhëtimin në Britani. Ai çoi gjithashtu në një rritje të infeksioneve që detyruan një bllokim të ri kombëtar në Angli muajin e kaluar.
Mbi 10 milion njerëz kanë marrë një dozë të parë të AstraZeneca ose Pfizer në Mbretërinë e Bashkuar.
Vaksinat e AstraZeneca pritet të vijnë në Shqipëri përmes instrumentit COVAX i cili ka paralajmëruar se do të nisë shpërndarjet nga gjysma e dytë e muajit shkurt.