Valdrin Pjetri, kryebashkiaku i zgjedhur dhe i dorëhequr i Shkodrës, nuk ka qënë asnjëherë i punësuar në Agjencinë e Pasurive të Sekuestruara e të Konfiskuara, dhe nuk ka qenë kurrë drejtues i kësaj agjencie.
Në jetëshkrimin e tij, Pjetri ka pohuar se në periudhën 2010- 2014 ai ka punuar si administrator i pasurive të konfiskuara. Fjala “administrator” në jetëshkrim është keqkuptuar nga media, e cila e ka interpretuar këtë emërtim si drejtues të institucionit të pasurive të konfiskuara, pra të Agjencisë së Pasurive të Sekuestruara e të Konfiskuara.
Në fakt, Pjetri ka qenë pjesë e listës së ekspertëve të regjistruar pranë sistemit gjyqësor, të citët mund të emërohen si adminsitratorë pubikë të pasurive që Gjykata sekuestron—kur gjykata vendos sekuestrimin e pasurive private ajo duhet të emërojë një administrator të pavarur për administrimin e këtyre pasurive.
Lista e ekspertëve nga e cila gjykata mund të zgjedhë administratorin për rastet specifike i propozohet sistemit gjyqësor nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.
Ekspertët e pavarur admisnitratorë janë pjesë e regjistrit elektronik të ekspertëve teknikë të licensuar pranë gjykatave, njësoj siç janë psikologët, vlerësuesit e pasurive të paluajtshme, kontabilistët, audituesit e certifikuar, etj. Përzgjedhja e tyre për çdo rast bëhet me anë të shortit elektronik nga gjykata.
Sipas ligjit nr. 34/2019 “Për administrimin e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara’, (Neni 2/ç) Administrator i Pasurive të Paluajtshme mund të jetë:
“Personi fizik a juridik, i specializuar në fushën e administrimit të pasurive, i cili është i autorizuar dhe/ose kontraktuar nga Agjencia për administrimin e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara”.
Neni 11 i këtij ligji, përcakton se:
“Administratori i pasurisë së sekuestruar caktohet nga gjykata kompetente, nga lista e ekspertëve të caktuar nga Agjencia”.
Duke patur parasysh këto fakte, duket se akuzat e ndërsjella politike midis palëve në lidhje me punësimin e hamendësuar të Pjetrit nën qeverisjen demokrate janë sulme të painformuara dhe të pabaza politike.