Përfaqësuesi i LSI-së në Këshillin Politik, Petrit Vasili theksoi se qeveria tranzitore është garancia e vetme që në vend të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Në një intervistë për Euronews Albania, Vasili u shpreh:
“Me qeveri tranzitore çështja e zgjedhjeve mbaron në një ditë dhe kemi mundësi të mendojmë si ta çojmë vendin përpara. Ndërkohë mbetemi peng i qeverive që i bëjnë pis zgjedhjet dhe vendi në ditën e zgjedhjeve merr impuls negativ dhe ecën prapa në vend që të përpara. Pa qeveri tranzitore këto do të jenë ndryshime që do të mbeten në letër.”
Qeveria tranzitore para zgjedhjeve është një prej kërkesave më të forta të opozitës për reformën zgjedhore. Deri tani shumica socialiste nuk ka pranuar ta diskutojë në Këshillin Politik këtë kërkesë.