Dy prej punonjësve të nënstacionit të Poçemit që prej 6 ditësh janë futur në grevë urie, janë në gjendje të keqe shëndetësore.
Mëgjithesë mjekët kanë rekomanduar daljen e tyre nga greva për të mos përkeqësuar edhe më shumë shëndetin, ata shprehen se do t’i rikthehen grevës menjëherë pasi të marrin ndihmën e parë mjekësore.
“I sëmurë jam. Doktori më tha je për serum, do t’i përgjigjem mjekësisë, por do vij prapë në grevë. Kam katër fëmijë. Kam vajtur në fund fare. Asgjë nuk kam. Ka vajtur sa nuk mban më puna”, u shpreh një prej grevistëve.
Punonjësit e nënstacionit të Poçemit, nën varësi të uzinës së naftës në Ballsh, nisën grevën më 13 shkurt pasi prej 27 muajsh nuk marrin rrogat.
Dje grevës së tyre iu bashkuan dhe naftëtarët e uzinës së Ballshit,pasi dhe ata nuk paguhen prej muajsh. Naftëtarët u takuan dje me përfaqësues të kompanisë që e menaxhon uzinën, por kompania nuk i njeh pagat e papaguara ndaj punëtorëve dhe nuk pranon t’ia paguajë. Një prej naftëtarëve sqaroi:
“Dje u bë një takim me kompaninë, por ajo nuk i njeh pagat, 5 paga deri më tani. Kërkojmë vazhdimësinë e punës dhe pagat e prapambetura. Shpresojmë që zgjidhje të jetë e shpejtë. Rafineria nuk del me humbje, del gjithmonë me fitim. Ne jemi të vendosur të mos bashkëpunojmë më kompaninë pa na kthyer rrogat e prapambetura.”
Dy grupet e punëtorëve, pjesë e uzinës së naftës në Ballsh, shprehën qartë dy kërkesat e tyre të panegociueshme për kompaninë:
- shlyerja e pagesave të prapambetura si për punëtorët e pompimit të Poçemit, ashtu dhe për naftëtarët;
- vazhdimësia e punës së uzinës dhe nënshkrimi i kontratave të reja.