Dy muaj pas denoncimeve të banorëve në Manëz për kthimin e zonës në një pikë grumbullimi mbetjesh, i njëjti problem vazhdon ende për banorët e zonës.
Gazment Luku, banor i zonës, tregon në një video në Facebook, se hedhja dhe djegia e plehra në Manëz vazhdon pa asnjë kontroll nga institucionet përkatëse.
Ai shprehu shqetësimin për ndotjen e madhe që po i bëhet ajrit dhe tokës në këtë zonë, vetëm nga mbetjet. Sipas tij, përveç mbetjeve të zakonshme, aty hidhen dhe mbetje spitalore dhe instustriale.
Më herët, në qershor 2020, banorët e Manzës kanë protestuar kundër kthimit të zonës në një pikë grumbullimi për gjithë qarkun e Durrësit.
Banorët kanë kërkuar llogari dhe janë përplasur dhe me administratorin e zonës Muharrem Sulën, por nuk kanë marrë asnjë shpjegim se përse të gjitha mbetjet e Durrësit po grumbullohen dhe digjen në Manëz.