
Nga babai te djali, trashëgimia vazhdon. Milani u shtua këtë javë me në tjetër anëtar të familjes Maldini në organikën e saj. Daniel, djali i vogël i Paolos dhe nipi i Cesares, nënshkroi kontratë 4-vjeçare si profesionist.
Djaloshi 18-vjeçar ka mbushur tifozët e Milanit me pritshmëri prej faktit se mbiemri që ai mban ka shoqëruar suksese në San Siro që prej vitit 1955.
Gjyshi i tij, Cesare Maldini fitoi asokohe kampionatin një vit pasi ishte transferuar nga Triestina. Deri në vitin 1962 do të numëronte 4 tituj kampion të Serie-A, ndërkohë që sezoni 1962-63 do të ishte edhe më i paharrueshëm për faktin se arrihej suksesi i parë në Evropë me titullin kampion – sot Champions League-a.

Sukseset e Cesares i trashëgoi djali i tij, Paolo Maldini. Me një karrierë që nisi në vitin 1985, Paolo luajti për 24 vite me radhë me fanellën kuqezi duke fituar 5 herë Champions-League-ën, 4 herë Super-Kupën e Evropës, 1 herë Kupën e Botës për klube, 7 herë kampionatin, 5 herë Super-Kupën e Italisë, 1 herë Kupën e Italisë. Paolo e mbylli karrierën në vitin 2009 me mbi 900 ndeshje zyrtare me Milanin.
Dhjetë vite më vonë stafeta i kalon Daniel Maldinit, i cili ndryshe nga i ati dhe gjyshi, nuk luan mbrojtës, por mesfushor. Si pjesëtar i skuadrave zinxhire, Danieli ka spikatur sidomos me skuadrën Primavera, aq sa të meritojë edhe kontratën 4-vjeçare të firmosur të mërkurën.
Angazhimi i tij i rikujton sportit italian dhe atij evropian faktin se prej vitit 1963 e deri në vitin 2007, në 6 nga 7 finalet e fituara në historinë e Milanit në Champions League, kanë pasur në fushë një Maldini.