Vazhdon prerja e pemëve në parkun kombëtar Shebenik-Jabllanicë

Nga Erblin Vukaj
Vazhdon prerja e pemëve në parkun kombëtar Shebenik-Jabllanicë

Prerjet e paligjshme të pyjeve vazhdojnë të mos kursejnë parqet kombëtare. Organizata jofitimprurëse Ecovolis denoncoi në fundjavë rast tjetër të shkeljes së moratoriumit të pyjeve. Rasti i radhës ishte në parkun e Shebenik-Jabllanicës në Librazhd.

Mbrëmjen e së shtunës – 5 tetor – në rrugën për në parkun kombëtar një kamion pa targa transportonte lirisht trungje pemësh të prera.

Në muajin maj Ecovolis denoncoi gjendjen në Dibër ku “qindra pemë” ishin “prerë rishtazi”. Tjetër denoncim qe në muajin janar në Elbasan, apo të tjerë më parë në Lurë.

Aktivistë të tjerë kanë raportuar vazhdimisht për prerje të pyjeve në malësitë e Pukës, Kukësit apo dhe Përmetit. Po kështu edhe mediat për zonat e Librazhdit.

Moratoriumi i pyjeve vazhdon!

Vazhdon ndalimi i prerjeve te jashtëligjshme ne Parkun Kombëtar Shebenik-Jabllanicë! Date 5 Tetor, Ora 20:00! #ParkuKombetarShebenik

Gepostet von Ecovolis am Sonntag, 6. Oktober 2019

Prej vitit 2016 qeveria ka ndaluar për 10 vite me ligj prerjen për lëndë drusore të pyjeve. Moratoriumi u propagandua si politika që do të mundësonte rigjenerimin e zonave të gjelbra.

Mirëpo pasi vendosi për moratoriumin, qeveria ia kaloi pyjet dhe kullotat si pronë bashkive, duke ia ngarkuar kështu edhe përgjegjësitë e ruajtjes së sipërfaqeve të gjelbra autoriteteve lokale.

Nga ana tjetër kontratat dhe licencat e shfrytëzimit të pyjeve nuk u anuluan. Në zona si në Dardhë dhe Librazhd kompanitë vazhdouan prerjet të paktën deri vitin e shkuar.

Përgjithësisht moratoriumi nuk është zbatuar dhe nuk është shoqëruar me investime konkrete në pyllëzim.

Të dhënat e Institutit të Statistikave (INSTAT) kanë treguar se prej vitit 2016 vendi ka humbur 378 hektarë pyje, kjo si pasojë e zjarreve dhe prerjeve të vazhdueshme.

Nga viti 2016, organizime qytetarësh si ato të Ecovolis kanë kryer dhjetëra fushata mbjelljesh në parqe si Lura, Mali Munellës, Shebenik-Jabllanica, Mali Taraboshit etj.

Këto nisma nuk janë mbështetur shumë nga qeveria, e cila sipas INSTAT, prej vitit 2016 ka shpenzuar për pyllëzim vetëm 220 mijë euro.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>