Kryebashkiaku Erion Veliaj lajmëroi të hënën se përmes projektit të bashkisë, zona e Astirit do të furnizohet me ujë 24 orë në ditë.
Përmes një postimi në Facebook, Veliaj njoftoi se do të ndërtohet një linjë e dedikuar për ujë gjatë 24 orëve.
Por një vit më parë, në 15 shtator 2019, Veliaj vizitoi Astirin dhe shpalli se zona nuk do të kishte më probleme me furnizimin me ujë, sepse ‘bashkia ka punuar gjithë verën’.
“Ky është gushti i fundit që kemi pasur këtë problem; kemi tashmë dy javë që kemi sjellë një linjë të dedikuar dhe e kemi zhdukur përfundimisht problemin dhe krizën e ujit të pijshëm në zonën e Astirit.”
Veliaj madje i bëri thirrje banorëve që mos blinin më ujë për të pirë nga autobotet ose në dyqane, pasi ‘analizat na tregojnë se uji i ujësjellësit që është i klorinuar, që ka pësuar gjithë trajtimin kimik, është uji i saktë për t’u përdorur.’
Premtimi për furnizimin me ujë 24 orë në ditë të gjithë Tiranës është një ndër premtimet më të përsëritura të Veliajt. Ky premtim, sipas tij ishte dhe arsyeja se përse në vitin 2017, bashkia rriti çmimin e ujit të pijshëm.
Por 3 vjet më pas, Tirana nuk ka ujë 24 orë në ditë, nuk furnizohet me ujë të pijshëm, dhe kryebashkiaku Veliaj vazhdon të përsërisë të njëjtat premtime.