Vendimet e falsifikuara, si u tjetërsua pronësia e qindra hektarëve tokë në Vlorë

Vendimet e falsifikuara, si u tjetërsua pronësia e qindra hektarëve tokë në Vlorë

Hetimet e Prokurorisë së Vlorës kanë zbuluar një skemë kriminale me anë të së cilës qindra hektarë pronë turistike në gadishullin e Karaburunit dhe fshatin Zvërnec u tjetërsuan në mënyrë të paligjshme, duke përfshirë në arkivën e Gjykatës së Vlorës vendime të falsifikuara.

Gazetarja e BIRN Lindita Çela sjell në artikullin e saj tre raste ku me vendime gjykate të falsifikuara, seanca gjyqësore që nuk kanë ndodhur asnjëherë apo firmosje në fletë të bardhë, mijëra hektarë tokë në Vlorë janë tjetërsuar.

rastin e parë, Raimond Mëzi, me profesion varrmihës e që jeton në një shtëpi të varfër në Vlorë, rezulton të jetë pronar i një sipërfaqe prej 220 hektarësh në gjirin e Shën Vasilit, pronë që kap një vlerë tregu prej 210 milionë euro. Vendimi i gjykatës që e bën Zotin Mëzi pronar është i falsifikuar.

Zoti Mëzi u arrestua në vitin 2016 së bashku me avokatin e tij Enkes Hysendhima, por u liruan më vonë me urdhër të prokurorisë. Mëzi i tha BIRN se ai nuk kishte lidhje me falsifikimet e bëra dhe ishte thjeshtë një viktimë. Sipas dokumenteve që BIRN disponon, emri i Mëzit duket se është përdorur vetëm për sigurimin e pronës, e cila më pas është shitur nga avokati Enkes Hysnedhima, falë një prokure përfaqësimi.

Sipas Mëzit, në vitin 1994 i ati Jakupi, kishte bërë një kërkesë në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, për rikthim e një sipërfaqe prej 6,600 metra katrorë të konfiskuar nga regjimi komunist në qytetin e Vlorës.

Bazuar në këtë kërkesë të Jakupit, në Gjykatën e Vlorës është gjetur një vendim i atribuar gjykatësit Thoma Nika me datë 29 Dhjetor 2000, që e bën Raimond Mezin pronar të 220 hektarëve tokë në Karaburun. Në Tetor 2012-të, në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme është bërë një kërkesë për ta regjistruar këtë pronë në emër të Raimondit, ndërsa 2 vjet më vonë prona i është shitur palëve të treta. Prokuroria dyshon se e tërë dosja gjyqësore është falsifikuar pasi gjyqtari Thoma Nika ka deklaruar se kurrë nuk ka zhvilluar një proces të tillë gjyqësor në vitin 2000. Mëzi i ka deklaruar prokurorëve se dokumentet e shitjes në zyrën e noterit i ka firmosur në fletë të bardhë.

Rasti i dytë ka përsëri në qendër Zotin Raimond Mëzi. Nëpërmjet një vendimi gjyqësor të vitit 2003, i cili i atribuohet gjyqtarit të ndjerë Skerdilajd Konomi, Mëzi është shpallur pronar i një sipërfaqe tjetër në Zvërnec. Nga hetimet e kryera, ka rezultuar se dokumentacioni që ka shërbyer për njohjen, kthimin dhe më pas regjistrimin e kësaj prone, është i falsifikuar. Prokuroria e ka konstatuar si tërësisht fiktiv këtë vendim, pasi, në kohën e dhënies së vendimit, i ndjeri Konomi nuk ka qenë gjyqtar.

rastin e tretë, për një sipërfaqe toke prej 5,2 hektarësh po në Zvërnec është përdorur sërish e njëjta skemë. Sipas hetimeve të Prokurorisë së Vlorës, kjo pronë është regjistruar fillimisht me anë të një vendimi të falsifikuar në emër të shtetases, Shqiponjë Emina, e cila rezulton e vdekur. Prona më pas është  shitur tek persona të tretë. Dosja e gjyqësore dhe pse mban vitin 1996, ka mbishkrimin Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë- emërimi zyrtar i vendit nga vitit 1976 deri në vitin 1991. Ky vendim rezulton të jetë dhënë në emër të gjyqtarit Qatip Bylykbashki, i cili rezulton të ketë qenë pjesë e gjykatës gjatë periudhës së komunizmit dhe është larguar nga vendi në vitin 1990.

Për të treja këto raste e për shumë të tjera hetimet vazhdojnë ende, ndërkohë që pronat e tjetërsuara janë sekuestruar me urdhër të Prokurorisë së Vlorës.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>