Hapat e parë që përvijojnë zbatimin e reformës në drejtësi duket se po vënë neë dyshim suksesin e ristrukturimit rrënjësor që kjo reforme sjell në avenirin politik shqiptar.
Trumbetimi i reformës si një zgjidhje deus ex machina, një shpate Demokleu, e cila do të vërvitej mbi kokën e çdokujt që kishte përfituar në rrugë të paligjshme, këto 27 vitet e fundit, ka rrezik të ngjallë zhgënjim, që vjen natyrshëm pas mospërmbushjes së një pritshmërie të madhe.
Më shumë makinacion politik, sesa ndjenjë e mirëfilltë popullore.
Fillesat e kësaj reforme, që largoi nga media vëmendjen ndaj zbatimit të ligjit për dekriminalizimin, u mpleksën keqazi me propagandën e shëmtuar të kryeministrit.
I interesuar për të mbajtur opinionin publik të shpërqendruar nga problemet e mëdha të shkaktuara nga keqqverisja e tij, Rama përdori lidhjet mediatike për ta butaforizuar reformën në një ngjarje biblike që do të vendoste drejtësinë e shumëkërkuar nga shqiptarët.
Opinioni publik, i etur për t’u kapur pas një fije shprese filloi të shijonte pamjen e aktorëve kryesorë të politikës mbrapa hekurave. Në tendat e Vetingut gjeje lloj -lloj njerëzish. Kishte nga ata te cilët me të vërtetë besonin tek reforma dhe tek ndikimi që ajo do të kishte në jetën e qytetareve. Kishte ministra dhe deputetë që paturpësisht firmosnin një peticion që herët apo vonë do t’i shkonte po atyre për ta miratuar.
Kjo lojë e ndyrë me ndjeshmëritë e shqiptarëve nuk mund të kishte përfundim tjetër : shndërrimin e një revolucioni burokratik, një nevoje barbare të shoqërisë shqiptare për të parë ne bankën e të akuzuarve figurat e anatemuara rëndom lart e poshtë për lidhjet e ngushta me botën e krimit. Nuk vonuan edhe veteranët e Luftës së Dytë Botërore, ndërgjegjjia e te cilëve u ngacmua nga mobilizimi popullor aq shumë saqë zbarkuan përballë tendave të vetingut me tituj e dekorata — a thua se po parakalonin si qëmoti për festën e 1 majit. Ndoshta propaganda masive ju kujtoi diçka.
Në fillimin e viteve ’50, Bashkimi Sovjetik u perfshi nga ethet e mëdha të Apelit per Paqen. Apeli ishte një peticion që u nënshkruar nga popujt “e lirë” – të bllokut komunist ku shprehej dëshira e përbashkët për një botë në paqe dhe prosperitet për banoret e saj. Peticioni u firmos nga miliona njerëz brenda pak ditësh dhe denjoi të vinte dhe në Shqipëri ku për një jave u firmos nga të gjithë personat mbi moshën 18 vjeç. Ca e vështirë kjo, për një popull ku analfabetizmi ishte në nivele të larta.
M’u kujtua kjo histori teksa shihja pleq që mezi lëviznin dhe me shpirt ndër dhëmbë firmosnin diçka për të cilën ata nuk e dinin dhe nuk e dinë përmbajtjen gjatë gjithë jetës së tyre. Reformizmi në thelb nuk është populist. Ai nuk është i rrokshëm për masat. Shpirti i tij së gjëmon më shumë për gijotinën sesa për nene dhe dispozita pa frymë e pa emocion.
Reforma duhet bërë dhe institucionet juridike shqiptare kanë nevojë për një ristrukturim të plotë, jo vetëm për të shmangur me aq sa mundet korrupsionin por edhe për të përballuar dhe përshtatur specifikave të ndryshme shoqërore që dita- ditës lindin kauza të larmishme ligjore. Për të mos folur pastaj për nevojën e madhe që sistemi i drejtësisë ka për gjyqtarë dhe prokurorë të përgatitur. Por kthimi i një reforme në bajrak lufte në fushatë zgjedhore e kthen atë në një tullumbace qe do t’i shpërthejë në fytyrë kujtdo që mendon se do ta mbajë pushtetin me premtime boshe .