Viti 2016 ishte viti më i nxehtë në 137 vjet të regjistrimit të të dhënave për klimën. Ky është përfundimi i raportit ndërkombëtar vjetor për klimën.
Ky “kontroll” vjetor i planetit, i udhëhequr nga studiuesit e Qendrës Kombëtare për Informacionin Mjedisor, pjesë e Administratës Kombëtare për Oqeanet dhe Atmosferën (NOAA) bazohet në kontributet e më shumë se 450 shkencëtarëve nga rreth 60 vende të botes.
Raporti nënvizon faktin se shumica e treguesve të ndryshimeve klimatike vazhduan të ndjekin tendencat e një bote në ngrohje. Ndërkohë që disa elementë të veçantë, duke përfshirë temperaturat e tokës dhe të oqeanit, nivelin e detit dhe përqëndrimet e gazeve serrë në atmosferë thyen rekordet e vëna vetëm një vit më parë (2015).
Ngrohja rekord e vitit 2016 rezultoi nga ndikimi i ngrohjes afatgjatë globale dhe vala e të nxehtit “El Nino” që u shfaq në fillim të vitit.
Gjetjet e kryesore nga raporti:
Temperatura globale e sipërfaqes ishte më e larta në regjistrimet e deritanishme. E shkaktuar pjesërisht nga El Nino në fillim të vitit, temperatura e kombinuar globale e tokës dhe e oqeanit ne vitin 2016 ishte në vlera rekorde të larta për të tretin vit me radhë (2014, 2015 dhe 2016). Rritja e temperaturës varionte nga +0.45 gradë deri në + 0.56 gradë mbi mesataren e periudhës 1981-2010.
Disa vende, duke përfshirë Meksikën dhe Indinë, raportuan vlera të larta të temperaturave vjetore. Një valë e nxehtë një javore në fund të Prillit 2016 mbi veriun dhe lindjen e gadishullit Indian, me temperatura që tejkalonin 44 °C, ndikoi në një krizë uji për 330 milion njerëz dhe shkaktoi 300 viktima.
Temperatura mesatare e sipërfaqes së detit ishte më e larta në rekord. Sipas katër grupeve të pavarura të analizuara, temperatura mesatare e sipërfaqes së detit për 2016 ishte 0.36-0.41 gradë më e lartë se mesatarja e periudhes 1981-2010 duke tejkaluar kështu rekordin e mëparshëm të vendosur në 2015 me 0,01-0,03 gradë.
Ngrohja e oqeanit ishte afër rekordeve të larta. Nxehtësia në shtresën e sipërme të oqeanit, deri në 700 metra thellësi, pati një rënie të lehtë krahasuar me rekordin e lartë të vendosur në vitin 2015.
Niveli global i detit ishte më i larti i regjistruar ndonjëherë. Mesatarja globale tregon se niveli i detit u rrit me një rekord të ri në 2016, dhe ishte rreth 8.2 centimetra, duke qenë kështu edhe më i lartë se ai i vërejtur në vitin 1993, kur filloi matja satelitore për nivelin e detit.
Shtresa e akullit të detit Arktik ishte afër rekordeve më të ulëta. Në Arktik, temperatura e sipërfaqes së tokës në vitin 2016 ishte 2 gradë mbi mesataren e periudhës 1981-2010, duke thyer rekordin e mëparshëm të vitit 2007, 2011 dhe 2015 me 0.8 °C, dhe duke përfaqësuar një rritje prej 3.5 gradësh që kur matjet filluan në vitin 1900. Temperaturat kanë çuar në zvogëlimin e shtrirjes dhe trashësisë së akullit të detit Arktik.
Disa nga anomalitë e vërejtura për klimën në vitin 2016:
- Europa përjetoi vitin e saj të tretë më të nxehtë në 107 vite, që kur matjet e temperaturave filluan në kontinent (vitet më të nxehta ishin 2014 dhe 2015). Dimri i vitit 2016 ishte dimri më i ngrohtë në historinë e matjeve.
- Azia përjetoi vitin e tretë më të nxehtë në histori (2015 ishte viti i dytë më i nxehtë dhe 2007 viti më i nxehtë)
- Kina përjetoi vitin më të lagësht që nga 1951, kohë kur ka filluar regjistrimi i reshjeve.
- India e raportoi vitin 2016 si më të nxehtin e saj, duke filluar që nga viti 1901. Dhjetë vitet më të nxehta në këtë shtet nisin pas vitit 2000.
- Australia përjetoi vitin e katërt më të nxehtë në historinë e sajë 107 vjeçare të regjistrimeve të temperaturës. Tazmania përjetoi të nxehtin rekord. Nëntë nga 10 vitet e fundit (përjashtuar vitin 2010) kanë qenë vitet më të nxehta në histori.
- Akulli në Antarktidë përjetoi minimumin e tij, krahasuar me vlerat maksimale që kishte në vitet 2012-2014.