Një vit pasi COVID-19 i kërcënoi jetën babait, sopranoja kosovare Arta Jashari po përpiqet t’i japë kuptim muajve më të vrullshëm të jetës së saj dhe një misioni që nuk e kishte menduar kurrë se do të ndërmerrte.
Duke folur për Exit News, Jashari thotë se pandemia na ka bërë të vlerësojmë më shumë gjerat e vogla që i japin kuptim jetës sonë.
“Ne u kthyem në bazat tona, ne filluam të kujdeseshim për veten, të ishim më të përgjegjshëm ndaj të tjerëve dhe të kuptonim se mund të shpëtosh të tjerët duke u kujdesur për veten”, thotë ajo.
Në qershor të vitit 2020, babai i Jasharit u infektua me COVID-19. Babai i saj vuante nga disa probleme të tjera shëndetësore, dhe duke pasur parasysh që Kosova – si shumica e botës – ishte plotësisht e papërgatitur për t’u përballur me pandeminë, sfida në fillim u duk e pakapërcyeshme për familjen.
Por Arta u bë e fortë dhe vendosi të marrë situatën në dorë. Së pari, ajo e çoi nënën e saj në një vend më të sigurt; së dyti, ajo veshi një palë rroba mbrojtëse ndaj infektimit dhe u kujdes për babanë e saj çdo ditë, duke ndjekur të gjitha hapat e sugjeruara nga mjekët.
Ajo rikujton se gjëja më e rëndësishme për të në atë kohë ishte informacioni dhe flet për shumë njerëz, nga e gjithë bota, të cilët i ofruan ndihmë në shumë mënyra.
“Kjo është gjëja më e vlefshme në jetë kur dikush të ofron ndihmë pa të njohur”, thotë ajo.
“Ky informacion ishte thelbësor për shëndetin e babait tim. Çdo minutë ishte e ndryshme, në varësi të informacionit, lidhjeve dhe ndihmës së mjekëve ”, shton ajo.
Pasi babai i saj u shërua dhe pasi pa vdekjen nga afër, ajo vazhdoi të ndihmonte të gjithë ata që i kërkuan ndihmë. Ndonjëherë ajo merrte rreth 300 mesazhe në ditë nga njerëzit që kishin nevojë për informacion.
Por, gjashtë muaj pas shpërthimit të pandemisë, ajo humbi dikë shumë të dashur për të. Kujtimi akoma e përlot.
“Axha Ismet”, siç e quante ajo fqinjin e saj, i cili së bashku me gruan e tij, gatuanin dreka të shëndetshme nga kopshti i tij çdo ditë për dy muaj, ndërsa babai i saj ishte i sëmurë.
“Nuk kisha kohë të gatuaj drekën. E dija që ishte shumë e rëndësishme të ushqehej [mirë] kur u infektua. Fqinjët tanë, Hamideja dhe burri i saj, Ismeti, çdo ditë vinin një vakt në një qese plastike dhe e varnin mbi gardhin e shtëpisë sonë,” kujton ajo, duke shtuar se ende ka disa pjata që i dhanë dhe se tani ajo do t’i mbajë ato përgjithmonë.
Gjashtë muaj pas shërimit të babait të saj, ajo mori një telefonatë pikëlluese nga Hamideja, që i thoshte në panik se burri i saj ishte i sëmurë. Përkundër të gjitha përpjekjeve të mjekëve, ai e humbi betejën.
“Tani, situata ishte krejtësisht e ndryshme nga koha kur babai im ishte në spital. Mjekët ishin të lodhur. Gjendja e axha Ismetit ishte shumë më e rëndë. Babai im nuk kishte nevojë për oksigjen, ndërsa tani unë duhej të mësoja të bëja gjëra të tjera, duke filluar nga mënyra se si të ndryshoja ujin e pompës së oksigjenit,” tha ajo.
E vetmja gjë që ajo mund të bënte ishte të bisedonte me të mbi gjera që do ta bënin të ndihej më mirë emocionalisht në mënyrë që të rritej frymëmarrja.
“Unë shihja se kur i flisja për fëmijët e djalit të tij, oksigjeni rritej, kështu që unë vazhdoja të flisja për ta. Njëherë shkoi nga 67 në 88, vetëm duke folur për [nipat e tij],” kujton ajo.
Herën e parë që ai ishte në gjendje të përdorte përsëri telefonin, ai i dërgoi një mesazh Artës, i cili do të ishte gjithashtu i fundit që ajo mori prej tij.
“Ju jeni Nënë Tereza për mua. Ju jeni personi i parë që po i shkruaj, ndihem pak më mirë dhe kam filluar të ha ”, thuhet në mesazh.
Ajo u ndje shumë e lodhur emocionalisht për t’u marrë me spitale dhe njerëz të infektuar pasi humbi Ismetin, por nuk u ndal.
Angazhimi i Artës për të ndihmuar të tjerët, duke përfshirë infermieret, e vendosi emrin e Kosovës në qendër të vëmendjes, pasi historia e saj u nda nëpër media të mëdha në mbarë botën.
“Dhurata më e madhe për mua ishte se, kur e gjithë bota kishte nevojë të dëgjonte histori për njerëzimin dhe kujdesin, ata lexonin “Kosovën” në shumë media serioze në mbarë botën,” thotë ajo.
Sidoqoftë, ajo nuk pajtohet që përkushtimi i saj të shihet si “heroik”, siç e kanë përshkruar shumë.
“Nuk është një veprim heroik të kujdesesh për prindin tënd, është një detyrë. Babai im më kishte vetëm mua, dhe natyrisht, unë isha aty. Më thanë se ata kurrë nuk kishin parë një vajzë më trime që luftonte për jetën e prindit të saj siç bëra unë ”, shpjegon ajo.
Ajo i gjen të gjitha këto tepër tërheqëse, pasi gjithmonë ka dashur të përfaqësojë vendin e saj në një mënyrë të tillë, “siç është vërtet populli saj”.
“Solidariteti ka qenë historikisht një karakteristikë e shqiptarëve të Kosovës, dhe tani ky fakt dihet përmes historisë time në Washington Post dhe shumë të tjera, përfshirë Hindustan Times ose në mediat braziliane. Kam marrë një mesazh emocionues nga Atlanta, duke më thënë se e gjithë faqja e një gazete kishte në titullin e saj historinë [time] me Kosovën,” thotë ajo.
Duke ardhur nga një vend ku muzika klasike si profesion është një rrugë e panjohur për shumicën e njerëzve, pandemia solli një dhuratë tjetër të veçantë, megjithëse të papritur, për Artën.
“Publiku tradicional që kemi e di kush jam dhe çfarë bëj, por një numër i madh njerëzish që nuk janë marrë me muzikë klasike nuk kishin dëgjuar për mua. Dhe tani, papritmas, dëgjoj njerëz në rrugë që thonë ‘oh është sopranoja’. Kjo është shumë e rëndësishme për mua,” thotë ajo.
Ndërsa të gjitha aktivitetet u anuluan, Arta vendosi të përdorë trajnimin e saj profesional në mënyrë produktive dhe krijuese.
Duke përdorur aftësitë e saj gjuhësore, si dikush që flet gjashtë gjuhë, ajo përktheu disa opera të famshme në shqip dhe i ndau ato në Wikipedia, duke përfshirë “Tosca”, “Carmen”, “Rigoletto”, “Anna Bolena”. Ajo shpreson që ato t’i shërbejnë mirë studentëve të arteve në të gjithë Kosovën.
Të jesh soprano në Kosovë
Arta Jashari ka një diplomë Bachelor në Këndim nga Universiteti i Lubjanës në Slloveni ku u transferua nga Universiteti i Prishtinës përmes një programi të bursave Basileus Erasmus Mundus.
Ajo gjithashtu ka një diplomë Master në Opera dhe Performancë nga Universiteti i Arteve në Berlin, në Gjermani.
Ajo u kthye nga Berlini duke shpresuar të kontribuojë në gjeneratat e ardhshme, megjithatë, Opera dhe Performanca nuk është ende pjesë e kurrikulës së Kosovës.
“Ne nuk kemi institucionin e Operës, madje as një sallë të duhur ku mund të japim kontributin tonë bazuar në arsimin që kemi marrë,” thotë ajo.
Filarmonia e Kosovës, së cilës i përket Arta, performon kryesisht në të njëjtën sallë ku zhvillohen panairet tregtare. Ata gjithashtu interpretojnë në kisha ose nganjëherë në sallat e hoteleve të cilat bëhen për konferenca.
“Pavarësisht nga të gjitha këto vështirësi, unë jam shumë krenare për audiencën tonë tradicionale e cila bëhet gjithnjë e më e madhe” thotë Arta.
Në fakt, ajo është shumë krenare për audiencën e Filarmonisë së Kosovës.
“Unë kam parë audiencë në Evropë, shumë familje që trashëguan kulturën e operës, ndërsa në Kosovë ka shumë të rinj që vijnë në koncertet tona sepse janë të uritur për art,” thotë ajo.
Para çdo shfaqje, Arta dhe kolegët e saj të orkestrës dhe korit nuk kanë hapësirë të qëndrojnë vetëm dhe të përqendrohen në performancën e tyre, pasi nuk ka dhoma zhvendosjeje të përshtatshme në hapësirat që Filarmonia përdor për koncertet e tyre.
“Ka gjithmonë shumë rrëmujë, por ne jemi mësuar me këtë,” thotë ajo duke buzëqeshur.
“Herën e parë kur kemi pasur hapësirën tonë kur kemi performuar ishte në Shkup. Kishim një tavolinë, një pasqyrë, një kënd të përshtatshëm për veshjet tona, një piano ku mund të bënim një kontroll përfundimtar të zërit,” kujton ajo.
Performanca më e mirë për Arta Jasharin deri më tani mbetet një koncert me Filarmoninë e Kosovës, të mbajtur në vitin 2019 në sheshin kryesor të kryeqytetit të Kosovës nën dirigjentin japonez, Toshio Yanagisawa.
“Ishte koncerti im i parë pasi u ktheva në Kosovë. Unë kisha një solo shumë të vështirë dhe ishin rreth 2 000 njerëz që erdhën për ne. Ishte ndjesia më e mirë që kam pasur ndonjëherë, të isha pjesë e një orkestre gjigande dhe kori me muzikantë nga Shqipëria që na u bashkuan, me një dirigjent shumë të respektuar, duke performuar para flamurit të vendit tim ”, kujton ajo me zëri e mbushur me emocione.
Ajo kishte koncertin e saj të parë recital në 18 maj, ku shumë njerëz që kishte takuar për herë të parë gjatë “udhëtimit të saj pandemik”, dolën për ta mbështetur.
Nëse Kosova themelon një institucion të duhur të Operës, sipas Arta Jasharit, të gjithë artistët që jetojnë jashtë — të cilët janë “udhëheqës në botën e artit të operës” – do të ktheheshin.
“Besoj se mund të kemi një [Opera] shumë të fuqishme”, thotë ajo, plot shpresë se diçka e tillë mund të ndodhë së shpejti.