Von der Leyen mbështet ‘pasaportën Covid’: Lehtësime për të vaksinuarit

Nga Exit News
Von der Leyen mbështet ‘pasaportën Covid’: Lehtësime për të vaksinuarit

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka mirëpritur iniciativën e qeverisë greke që lejon njerëzit e vaksinuar të udhëtojnë lirshëm.

Ajo bëri apel për hartimin e një ‘pasaporte vaksinimi’ të njohur reciprokisht nëpër vendet e Bashkimit Evropian për të gjithë ata persona që vaksinohen kundër Covid-19.

“Është një kërkesë mjekësore të kesh një pasaportë që verifikon se je vaksinuar. Ndaj e e mirëpres iniciativën e Kryeministrit grek për një certifikatë vaksinimi të njohur reciprokisht,” tha Ursula von der Leyen, në një intervistë për median portugeze.

Një javë më parë, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis i kërkoi zyrtarisht presidentes së KE-së që të marrë një nismë për lehtësimin e udhëtimeve dhe masave të tjera kufizuese për qytetarët e vaksinuar.

Megjithëse tha se vaksina nuk duhet të jetë “e detyrueshme ose një parakusht për udhëtimin”, Mitsotakis kërkoi që “njerëzit që janë vaksinuar të jenë në gjendje të udhëtojnë lirshëm”.

Von der Leyen tha se ajo pajtohet me idenë.

“Çfarëdo që të vendoset – pavarësisht nëse i jep përparësi apo akses ndaj mallrave të caktuara – është një vendim politik dhe ligjor që duhet të diskutohet në një nivel Evropian,” u tha ajo gazetarëve.

“Por mendoj se është e rëndësishme. Dhe, siç thashë, ne duhet të kemi një certifikatë mjekësore që dëshmon se njerëzit janë vaksinuar,” tha Von der Leyen.

Në vendet e Bashkimit Europian vaksinimi ka nisur në 27 dhjetor dhe po kryhet me vaksinën e kompanive Pfizer/BioNTech.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>