Sistemi i ri zgjedhor ka prodhuar ‘super’ deputetë me mbi 10 mijë vota. Në zgjedhjet e 25 prillit, 1 007 265 qytetarë, rreth 72 % e totalit të votuesve kanë votuar për kandidatin.
Dhe, ndërkohë vetëm 384 680 zgjedhës votuan vetëm subjektin politik pa shprehur preferencë për kandidatët.
Përqindja e lartë e numrit të votave për kandidatët u reflektua në çdo qark. Në veçanti në qarkun e Korçës, Lezhës, dhe Shkodrës, mbi 80% përqind e votuesve zgjodhën të votojnë për kandidatin në lista, sipas analizës në emisionin “Me pak fjalë”, në Euronews, të martën.
Por megjithëse dëshira për të votuar kandidatët ka qenë e lartë, në shumë pak raste kjo ka qenë vendimatare për mandatin e deputetëve.
Vetëm 4 kandidatë arritën të thyejnë renditjen e partisë në lista duke marrë mandatin e deputetit. Fatmir Xhafaj, Orlando Rakipi, Gramoz Ruçi të Partisë Socialiste dhe Luçiano Boçi i Partisë Demokratike arritën të kalojnë në listën fituese.
Por sistemi ka ndëshkuar për pak vota disa kandidatë të tjerë si Agron Kapllanaj i PD-së në Fier, i cili mori më shumë vota se çdo kandidatë i listës së partisë së tij por më pak se 10 mijë vota, pa mundur të kaloi në listën fituese.
Njësoj ndodhi edhe me Pandeli Majkon në Tiranë. Majko ishte deputeti i shtatë më i votuar i listës së PS-së në Tiranë, por nuk arriti të merrte dot të kalonte në listën fituese.