Nënkryetari i grupit parlamentar CDU/CSU, Johann David Wadephul, ka shprehur dyshime të forta për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare Shqipëri-BE brenda dhjetorit.
Në një takim me gazetarët e huaj në Berlin, Wadephul tha se Shqipëria duhet ende të plotësojë kushtet e vëna nga bundestagu.
Nga ana tjetër për Maqedoninë e Veriut, Wadephul tha se nëse zgjidh konfliktin me Bullgarinë, ‘dera për të është e hapur’.
“Më 26 shtator 2019 vendosëm si parlament për çeljen e negociatave me Shqipërinë. Kjo më kushtoi mua shumë energji, por ne vendosëm disa parakushte dhe nëse ato nuk plotësohen, atëherë do ta kem të vështirë t’i bind kolegët e grupit tim parlamentar që ta shoqërojnë pozitivisht procesin,” u shpreh Wadephul.
Ai foli dhe për reformën zgjedhore, një tjetër kusht i vendosur nga Gjermania për nisjen e konferencës ndërqeveritare. Ai theksoi se një pjesë e madhe e reformës ‘u shfuqizua në një proces përjashtues, konkretisht, duke futur sistemin e listave të hapura, në vend të koalicioneve zgjedhore.’
“Kjo procedurë përjashtuese bie në kundërshtim me kërkesën e Bundestagut për një proces përfshirës, i cili u rekomandua edhe nga OSBE-ja,” u shpreh Wadephul.
Pyetur nga gazetarët se çfarë mund të presin Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nga samiti i rregullt të Këshillit të BE-së më 10-11 dhjetor, Wadeplhul nuk tha diçka konkrete, po thjeshtë se ‘shpreson që të ketë përparime’.