Provimi i Maturës Shtetërorë 2021 do të ketë 60 pikë, nga të cilat 40 janë për pyetjet me zhvillim dhe 20 për ato me alternativa.
Testi do të jetë me tre nivele vështirësie: 40% e testit do të ketë nivel të ulët të vështirësisë, 40% nivel mesatar dhe 20% e testit do ketë pyetje të vështira.
Maturantët do të bëjnë gjithsej katër provime, 3 të detyrueshme, Gjuhë Shqipe-Letërsi, Matematikë dhe Anglisht dhe një provim me zgjedhje.
Ministrja e Arsimit tha të mërkurën se nisur nga kërkesat e shumta të maturantëve, por edhe nga analiza e eksperteve, është vendosur që “në provimet e maturës shtetërore një pjesë e pyetjeve të jenë të strukturuar me alternativa dhe një pjesë të jenë me zhvillim”.
Ajo zhvilloi një interpelancë të kërkuar nga maturantë përfaqësues të Parlamentit të Nxënësve.
Ministrja tha se për vlerësimin do të aplikohen dy metoda.
Njëra është metoda elektronike, me skanim, për pyetjet me alternativa. Ndërsa e dyta është për pyetjet që janë me zhvillim. Ato do të vlerësohen nga mësuesit.
Për dhënien e diplomave ajo tha se do të jepen në 15 korrik, por për nxënësit që duan të studiojnë jashtë vendit do të jepen në 5 korrik.